Kryeministrja rumune kundërshton kritikat e BE-së për reformat demokratike

Evropë

Kryeministrja rumune kundërshton kritikat e BE-së për reformat demokratike

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 09:12
Kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila.

Kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila ka hedhur poshtë kritikat e Bashkimit Evropian se ky shtet është duke u kthyer mbrapa sa i përket reformave demokratike dhe ka insistuar se Bukureshti është i gatshëm të marrë presidencën e BE-së vitin tjetër.

“Ju siguroj se Rumania është e gatshme në mënyrë logjistike dhe nga një pikëpamje organizative”, ka thënë Dancila më 13 nëntor, duke u përgjigjur pas një raporti që ka kritikuar këtë shtet lidhur me sistemin gjyqësor.

Dancila e ka cilësuar raportin si “thellësisht të padrejtë” dhe të motivuar politikisht.

Ky raport ka vënë në dukje kritikat e presidentit të këtij shteti, Klaus Iohannis, politikan opozitar, i cili ka thënë më 12 nëntor se Rumania është “plotësisht e papërgatitur” për të nisur presidencën gjashtëmujore të BE-së më 1 janar.

Më 13 nëntor, ai u ka bërë thirrje liderëve të Rumanisë që të “veprojnë së bashku” në përgjigje të raportit “shqetësues” të BE-së, në të cilin është thënë se ky shtet është kthyer mbrapa për 10 vjet në aspektin e reformave demokratike.

Ky raport ka shtyrë Komisionin Evropian të bëjë thirrje për një pezullim të menjëhershëm të ligjeve të reja për gjyqësorin dhe emërimet e prokurorëve në Rumani, derisa Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që paralajmëron se ndryshimet e fundit në ligj kërcënojnë “pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe kapacitetetin për të luftuar në mënyrë efektive korrupsionin në Rumani”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat