Rumani: "E keqja" dihet nga vjen

Evropë

Rumani: "E keqja" dihet nga vjen

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 10:19
Foto ilustrim

Nëse macja e zezë të pret rrugën, atëherë ndodh diçka e keqe. Kur derdhet kripë në kuzhinë plas sherri. Shumë rumunë mundohen të shpjegojnë dhe relativizojnë situatat e pasuksesshme me bestytni. Por, e marta 13, është dita absolutisht e pafatë, ku nuk pritet asgjë e mirë!

Por, këtë 13 nëntor 2018, një ditë e martë, Komisioni Europian në Bruksel i prezanton publikut raportin e progresit për Rumaninë dhe Bullgarinë. Të dy vendet u pranuan në vitin 2007 në Bashkimin Europian, nën kushte të caktuara. Sidomos, pavarësia e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe ruajtja e shtetit të së drejtës duhet të kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme nga Komisioni. Mekanizmi i ashtuquajtur i bashkëpunimit dhe kontrollit (MCV), është pjesë e Paktit të pranimit të të dy vendeve dhe nëse çdo gjë shkon mirë, për Bullgarinë ai merr fund në vjeshtë të 2019, me mbarimin e mandatit të Komisionit aktual. Për Rumaninë ai do të vazhdojë të ekzistojë. Me të drejtë.

Çifti i korruptuar

Arsyet pse kjo ndodh bëhen tani të qarta në një raport 20 faqesh, që flet për nënshtrimin politik të drejtësisë dhe mangësitë e mëdha në respektimin e shtetit të së drejtës. Për rekomandimet e bëra në raportin e parafundit, të cilat qeveria socialo-liberale e Rumanisë i ka injoruar, janë shtuar gjëra të reja.

Ajo çka Komisioni i BE-së e ka shkruar të zezë në të bardhë, nuk ka të bëjë me bestytnitë. "E keqja", ka emra konkretë. Më të njohurit janë Liviu Dragnea dhe Calin Popescu-Tariceanu. Njëri është president i parlamentit dhe shef i partisë socialdemokrate në pushtet, PSD. Dragnea është dënuar tashmë me kusht për manipulime të zgjedhjeve dhe është dënuar në instancën e parë me tre vjet e gjysmë, për shpërdorim të detyrës. Në procesin e tretë, është futur në lojë edhe Zyra Europiane për luftimin e mashtrimeve, OLAF, bëhet fjalë për vjedhjen e parave të BE, në shifrën 21 milionë euro.

I dyti në çift ësht Tariceanu, president i Senatit dhe shef i partnerëve pseudo-liberalë të koalicionit, ALDE. Sipas autoriteteve austriake, ai duhet të jetë përzier në një skandal korrupsioni. Edhe drejtësia rumune do të fillojë hetimet dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit për të. Bëhet fjalë për një provizion 800 mijë eurosh, që Tariceanu mendohet të ketë marrë nga një firmë austriake në kohën kur ka qenë kryeministër (2004- 2008).

Të dy politikanët dhe pasuesit e tyre e kanë kthyer Rumaninë, që prej zgjedhjes së tyre dy vjet më parë, në një nga shtetet më të lëkundura të BE. Dhe BE ka parë pa ndërmarrë asgjë. Duke pasur parasysh qeveritë skeptike ndaj BE, që ndodhen në Varshavë dhe Budapest, çifti rumun Dragnea dhe Tariceanu e zhvendosën Rumaninë në periferi të Bashkimit Europian.

E reja e raportit është një udhëzim i qartë për detyrimet e shteteve anëtare, që të garantojnë lirinë e shprehjes dhe të shtypit, megjithë hyrjen në fuqi të ligjit për mbrojtjen e të dhënave. Sfondi ka të bëjë me përpjekjet e qeverisë rumune për të trembur grupet investigative të gazetarëve, të cilët duhet t'i qëndrojnë larg kërkimit të historive që kanë të bëjnë me shefin e PSD, përndryshe marrin dënime të mëdha.

Kritika nga të gjitha palët

"Në këto 11 vjet anëtarësim në BE, Rumania ka pasur të gjitha kushtet për tu bërë shtet europian me institucione të forta të shtetit të së drejtës", thotë gazetarja rumune, Magda Gradinaru. Dhe një periudhë kohe dukej se rruga e marrë ishte e drejtë. Ajo çka po ndodh tani në Rumani, e kthen vendin mbrapsht dy dekada, shton ajo në një bisedë me Deutsche Wellen.

Deputeti rumun në Parlamentin Europian dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Monica Macovei ka të njëjtin mendim për zhvillimet në vendin e saj. "Një qeveri që nuk respekton shtetin e së drejtës, një parlament që nuk respekton rregullat dhe principet demokratike, nuk mund të kërkojë të respektohet", deklaron Macovei për Deutsche Wellen, duke patur parasysh marrjen e presidencës së radhës nga Rumania, në fillim të vitit tjetër.

Gunther Krichbaum, kryetar i Komitetit për çështjet europiane në parlamentin gjerman, Bundestag, e kritikoi ashpër qeverinë rumune në një deklaratë për Deutsche Wellen: "Raporti tregon qartë, çfarë është krejt e dukshme për gjithë vëzhguesit. Qeveria rumune sulmon në mënyrë të vazhdueshme ndarjen e pushteteve dhe dëmton kështu pak nga pak themelet e shtetit të së drejtës", thotë politikani kristiandemokrat gjerman.

Për një vend anëtar të BE kjo është e papranueshme, prandaj është e drejtë që Parlamenti Europian i ka bashkangjitur raportit të Komisionit edhe një rezolutë. Për një kohë të gjatë Europa i ka pasur sytë nga Polonia dhe Hungaria, dhe i ka injoruar zhvillimet në Rumani, thotë Krichbaum, që është njëkohësisht kryetar i Forumit gjermano- rumun.

Po tani?

Çfarë efekti do të ketë raporti për qeverinë e Bukureshtit, është e paqartë. Ministri për çështje europiane është shkarkuar nga detyra, sepse me sa duket nuk ka ndjekur dëshirat e shefit të tij Dragnea për të zbutur kritikat që vijnë nga Brukseli. Qeveria e drejtuar nga  Viorica Dancila, vazhdon të kërcejë sipas muzikës së Dragneas. Sa kohë do të zgjasë kjo, pyesin socialdemokratët. Madje Komisarja rumune e BE-së, dhe politikania e vjetër e PSD, Corina Cretu u distancua hapur javën e kaluar nga kryetari i partisë së saj dhe qeverisë.

Kritika të ashpra në Rumani vijnë nga presidenti konservatoro- liberal, Klaus Iohannis. Megjithë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë, për t'i hequr pushtetin atij hap pas hapi, ai vazhdon me mjetet që ka në dispozicion të luftojë kursin antieuropian të koalicionit të përbërë nga PSD dhe ALDE. Qeveria aktuale është "aksident për demokracinë", tha Iohannis në një takim me politikanët lokalë. Qeveria rumune nuk është e përgatitur të marrë presidencën e radhës së BE, më 1 janar 2019. Prandaj e domosdoshme është ndryshimi i qeverisë, paralajmëron kryetari i shtetit rumun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat