Rrugë e gjatë deri te Brexit-i

Evropë

Rrugë e gjatë deri te Brexit-i

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 11:39
Kryenegociatori Michel Barnier, i dorëzon draft-marrëveshjen për Brexit, presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk. Bruksel, 15 nëntor, 2018.

Bashkimi Evropian tha se mbeten shumë punë për Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga blloku, pavarësisht hartimit të draft-marrëveshjes mbi kushtet e divorcit.

“Kemi rrugë të gjatë përpara në të dyja anët”, tha kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, duke pranuar se është bërë përparim vendimtar me hartimin e marrëveshjes.

“Ajo për të cilën jemi pajtuar në nivelin negociator, është e drejtë dhe e balancuar, merr parasysh pozicionet e Britanisë, e organizon tërheqjen në mënyrë të rregullt, siguron se nuk do të ketë kufi të rreptë në ishullin e Irlandës dhe përgatit terrenin për një partneritet të ri ambicioz", tha Barnier në një konferencë për media në Bruksel.

Ai i bëri komentet pasi kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha se kabineti i saj eka mbështetur draft-marrëveshjen për Brexit-in, të arritur me BE-në më 13 nëntor, pas disa muajsh negociata të vështira.

Megjithatë, shumë politikanë pro-Brexit e kritikuan marrëveshjen, duke thënë se ajo do ta mbajë Britaninë të lidhur ngushtë me BE-ne dhe nën rregulloret e saj edhe pas Brexit-it.

Sekretari britanik i Brexit-it, Dominic Raab, dha dorëheqje, duke thënë se nuk mund ta mbështesë marrëveshjen. Dorëheqje dha edhe ministri britanik për Punë dhe Pensione, Esther McVey.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, thirri një samit të udhëheqësve evropianë më 25 nëntor, për miratimin e draft-marrëveshjes.

“Nëse asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodh, ne do të mbajmë një takim të Këshillit Evropian, për të finalizuar dhe formalizuar marrëveshjen për Brexit. Ai do të zhvillohet të dielën, më 25 nëntor. Më lejoni t’iu them miqve britanikë: Jam i trishtuar që shoh largimin tuaj, por do të bëj gjithçka të mundur për ta bërë këtë lamtumirë sa më pak të dhimbshme për ju dhe për ne”, tha Tusk në konferencën e përbashkët për media me Barnierin.

Britania ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian në një referendum në vitin 2016, pas më shumë se katër dekada si pjesë e bllokut.

Negociatat mbi kushtet e divorcit kanë zgjatur me muaj dhe pika më e vështirë e tyre ka qenë çështja e kufirit irlandez, përkatësisht synimi për të mbajtur një kufi të hapur midis Republikës se Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, dhe Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Në bazë të marrëveshjes, Britania duhet të dalë nga blloku deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm. Në marrëveshje është përfshirë edhe periudha tranzitore prej 21 muajsh, në bazë të së cilës do të ketë status quo për atë periudhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat