Si ishte zhdukur në luftë komandanti i UÇK-së Shaban Shala?

Fejtone

Si ishte zhdukur në luftë komandanti i UÇK-së Shaban Shala?

Nazif Ramabaja Nga Nazif Ramabaja Më 9 korrik 2018 Në ora: 18:31
Shaban Shala

Deri më tani kam bërë rikapitulimin e operacioneve prej bazës së intervenimit në Prapaqan e deri në pozicionet shpërndarëse, pozicionet e hapjes së zjarrit dhe informacionet e para të përfituara nga pjesa e parë e betejës dhe mbarimin e fazës së parë. Nga kjo situatë e më tej me operacionet dhe organizimin e mëtutjeshëm është marrë komandanti Tahir Zemaj.

Urdhërdhënësi për intervenim në Loxhë atë kohë major Tahir Zemaj me ushtarakët Lumni Surdulli, Fadil Gadergjonaj, Bajram Stojkaj, Farush Thaçi, Shaban Dragaj, Sali Çekaj, Rrustem Bruçi dhe ushtarët e ardhur në ndihmë si forca shtesë dhe të freskëta për vazhdimin dhe kalimin në fazën e dytë të operacioneve luftarake, do të merrej me përkushtim të jashëtzakonshëm në betejën e Logjës, ku gjithsejtë kishin marrë pjesë afër 160 ushtarë.

Pozicionimet e reja

Së pari është bërë vrojtimi nga eprorët Nazif Ramabaja, Farush Thaçi dhe Fadil Hadergjonaj pastaj është dhënë urdhri nga komandanti Tahir Zemaj për përgatitjen dhe ndarjen e njësiteve-batalioneve në vijën e frontit: Në anën e djathtë u vendos eprori Fadil Hadergjonaj me batalionin e tretë, në krahun e majtë ishte batalioni i dytë me Bajram Stojkaj dhe vija e dytë, e frontit i vendosur Farush Thaçi përgjegjës për artileri, ndërsa njësiti për intervenim i udhëhequr nga unë (Nazif Ramabaja), i cili njësitë e kishte kryer fazën e parë të intervenimit për shkak të intensitetit dhe dinamikës së luftimeve, suksesit po edhe rraskapitjes është lënë në rezervë së bashku me mbështetësit luftëtar të fshatrave pjesëmarrës në këtë betejë.

Raportimi për ushtarët

Kam grumbulluar të gjithë ushtarët duke i thirrur emër për emër, mungonin eprori Faruk Xhemajli i plagosur rëndë dhe Envar Alaj i vrarë, por dhe ende se kishim bërë tërheqjen e tij, ndërsa kishim edhe dy të plagosur lehtë Imer Elezin dhe Sinan Shalën. Pas verifikimit të njësitit kam bërë një rezyme të ngjarjeve dhe zhvillimit të operacioneve duke ju dhënë kurajo dhe vullnet për suksesin e arritur dhe shprehur admirimin tim për të gjithë pjesëmarrësit në këto luftime.

Kam angazhuar disa ushtarë dhe kem filluar me aksionin e tërheqjes së Enver Alajt, tërheqjen e të cilit e kemi bërë në një heshtje dhe fshehtësi të madhe. Shfrytëzuam rastin e dy fshatarëve, të cilët ende gjendeshin në shtëpinë bunker, Shaqir dhe Xhemajl Shala, të cilit ishin të dërguar nga shtabi i fshatit për të lidhur ndonjë marrëveshje. Qëndrimi i tyre në atë shtëpi bunker ishte i dyshimtë, por pas daljes së tyre nga shtëpia e kemi shfrytëzuar rastin dhe e kem bërë tërheqjen e Enverit.

Flakaresha e Salihut

Kjo sjellje flagrante e këtyre dy burrave e kishte tërbuar “Veteranin”, Sali Çekajn, i cili i kishte ra flakaresh njërit prej këtyre dy fshatarëve, të cilët i kishte dërguar shtabi i Loxhës në shtëpitë serbo-malazeze me u marrë vesh diçka”. Salihu ishte aq shumë i hidhëruar, dhe iu tha “çka keni lyp pisa me shku te shkau”, dhe kishte tentuar edhe diçka edhe më shumë, por ndërhyn komandanti Zemaj dhe e ndërprenë veprimin e Salihut.

Për herë të parë e kam parë komandantin e shtabit të Loxhë Shaban Shalën rreth orës 16:00, pas ardhjes së ndihmës nga forcat shtesë të brigadës 134. E pyeta Shabanin se ku ishte gjer më tani dhe se është dashur së paku t´më njoftonte mbi gjendjen luftarake, se kur mbërriti njësiti intervenues në fshatin Loxhë, për ekzistencën e armikut, formacionet ushtarake, pozicionimin ai u përgjigj se “s’kam dashur të pengoj në komandim”.

Lufta fyt më fyt

Distanca në disa raste në mes forcave tona dhe armikut ka qenë aq e afërt sa mund të numëroheshin disa metra, duke i gjetur edhe vetë komandanti Tahir Zemaj afër shtëpisë bunker serbo-malazezët, e cila në brendësinë e saj kishte forca serbe, njësitin special e në kuadër të atij njësiti, snajperistët.

Frikën ia kishim prapë fshatit Gorazhdec për sulmet e paramilitarëve dhe mercenarëve ruso-ukrainas, të cilët s’ishin të paktë në sulme të tilla, për këtë qëllim është vendosur një top në krahun e majtë të fshatit, ku kishte përgjegjësinë batalioni i tretë.

Operacionet janë kryer diku kah ora 04.oo, të mëngjesit të ditës tjetër dhe është dorëzuar i tërë fshati në duar të fshatarëve logjian e pejan, nga ana e komandantit Tahir Zemaj dhe janë dhënë instruksionet për mënyrën e fortifikimit dhe organizimit të mbrojtjes së Logjës nga ushtarakë profesional të karrierës.

Të gjitha operacionet janë zhvilluar sipas urdhrave dhe komandave të komandantit Tahir Zemaj. Pas disa orë luftimesh, shtëpitë bunker janë shkatërruar dhe forcat tona me këtë kanë marrë nën kontrollë tërë fshatin.

Dhjetëra të vdekur dhe shumë të plagosur

Armiku kishte lënë më se dhjetëra të vdekur dhe shumë të plagosur, këtë e dinë më së miri qytetarët pejan se sa fotografi ishin të vendosura nëpër shtylla elektrike dhe te spitali i Pejës për ti informuar familjarët e të vrarëve dhe serbët vendas për humbjet e tyre në betejën e Loxhës.

I tërë fshati i është dorëzuar shtabit rajonal të fshatit Loxhë komandantit Shaban Shalës duke ia dhënë udhëzimet dhe instruksionet se ku dhe si duhet të përqendrohet në mbrojtjen e fshatit nga ndonjë sulm eventual i forcave serbe.

Për shkak të forcave të pamjaftueshme dhe mundësia që armiku, tash e tutje do të tentonte ta sulmonte fshatin Loxhën në mënyrë shumë më të organizuar, duke e ndërruar taktikën dhe strategjinë e sulmit, komandanti Tahir Zemaj vendos që disa fshatra përreth ti vinë në ndihmë kur të paraqitet nevoja dhe të jenë nën shërbimin e shtabit rajonal të Loxhës.

Të gjitha këto ngjarje i ka shpjeguar në mënyrë kronologjike në librin e tij “KËSHTU FOLI TAHIR ZEMAJ” pjesa e parë dhe e dytë. Të dy librat e shkruar janë të bazuar duke i konsultuar  shënimet ditore, procesverbalet e takimeve të mbajtura në mënyrë të rregullt dhe ditarët luftarak dhe këto shënime tregojnë gjithë objektivitetin dhe realitetin e zhvillimit të betejës së Loxhës të udhëhequr nga dy protagonistët kryesor Tahir Zemaj dhe Nazif Ramabaja.

Ne s´kishim dëgjuar duke u folur nëpër ndeja, oda, kafene duke treguar dikush se si kanë rrjedh operacionet. Por, ne kishim urdhëruar, zbatuar urdhrat dhe kishim luftuar duke e përjetuar të tërën dhe ndier në mendje, shpirt dhe trup, pra ishim unikat dhe të pazëvendësueshëm në rrethana, kohë dhe hapësirë të zhvillimit të kësaj beteje.

/ Vijon

Ps. Botimi, ribotimi dhe shumëzimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit dhe të gazetës “Bota sot” është i ndaluar. Shkrimi është bërë ekskluzivisht për “Bota sot”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat