Bashkimi i shtabeve të UÇK-së dhe hyrja nën komandën e shtabit suprem të FARK-ut

Fejtone

Bashkimi i shtabeve të UÇK-së dhe hyrja nën komandën e shtabit suprem të FARK-ut

Nazif Ramabaja Nga Nazif Ramabaja Më 10 korrik 2018 Në ora: 21:18
Tahir Zemaj gjatë kohes së luftës

Ne s´kishim dëgjuar duke u folur nëpër ndeja, oda, kafene duke treguar dikush se si kanë rrjedh operacionet. Por, ne kishim urdhëruar, zbatuar urdhrat dhe kishim luftuar duke e përjetuar të tërën dhe ndier në mendje, shpirt dhe trup, pra ishim unikat dhe të pazëvendësueshëm në rrethana, kohë dhe hapësirë të zhvillimit të kësaj beteje.

Këtu vlen të veçojmë rënien e tre dëshmorëve të njësive operative të UÇK-së të udhëhequra nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dëshmorët: Lumni Surdulli, Rustem Bruçi dhe Enver Alaj dhe një nga mbrojtja e fshatit. Po ashtu ndodhi edhe plagosja e rëndë e Binak Dinajt ku humbi krahun e majtë si pasojë e bombardimeve apo të shtënave nga ana e armikut. Dinën e kisha vizituar pastaj së bashku me Esat Ademajn. Po ashtu kishim plagosjen e rëndë të ushtarakut Faruk Xhemajli me më se gjashtë plagë në trup, i cili megjithatë e përjetoi dhe e mbijetoi luftën frontale në Logjë.

Bashkimi ushtarak

Këta dëshmorë dhanë gjithçka patën për lirinë e Kosovës sonë martire, duke mos e kursyer as më të shtrenjtën jetën. Këta kishin për dëshirë bashkimin e faktorit ushtarak për të cilin u angazhua heroi i kombit kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, e përmes bashkimit të faktorit ushtarak dhe hyrjes së të gjitha grupeve, shtabeve të fshatrave rajonale dhe njësiteve të UÇK-së nën komandën e shtabit suprem të FARK-ut, bëhej më lehtë bashkimi i faktorit politik.

Ata për ideal kishin lirinë, pavarësinë dhe demokracinë dhe mu për këtë ideal ata ranë në altarin e lirisë dhe u bën të pavdekshëm, ndërsa vepra e tyre do të çmohet dhe do të ngrihet lart në piedestal, sepse gjaku i tyre mbolli farën e lirisë, fituam betejën dhe thyem mitin e Serbisë. Ata u bën bashkudhëtar të Zahir Pajazitit, Adem Jasharit, dëgjimtar të fjalëve duke i shndërruar në vepër dhe përkrahës të flakët të Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt.

Të nesërmen më 7 korrik ´98 bëmë varrimin e luftëtarëve të rënë në betejën e Loxhës, një ditë më parë Lumni Surdullit, Enver Alajt dhe Rrustem Bruçit.

Pas ceremonisë së varrimit shkova për vizitë në spitalin ushtarak në Irzniç për ta vizituar eprorin Faruk Xhemajlin, i cili ishte informuar se një oficer kishte vdekur në Loxhë (kishte menduar se unë jam ai i vdekuri), dhe duke e ditur se në çfarë gjendje të vështirë kisha mbetur pas plagosjes së tij, kur më pa u gëzua pa masë dhe e vazhduam bisedën duke i shprehur ngushëllime njëri tjetrit për të vrarët.

Korrigjimi i fortifikimeve

Dita tjetër ishte e planifikuar dhe e rezervuar. Së bashku me zëvendësim tim Esat Ademajn udhëtuam për në Loxhë, me qëllim që të bënim vëzhgimin dhe posaçërisht bëmë kontrollin e fortifikimit ku ishin bërë shumë gjëra, por përshtypja ishte se nuk ishim të kënaqur me gjendjen ekzistuese. Të njëjtën gjë e bëmë edhe në Raushiq.

Erdhën ish ushtarët e mi Agim Krasniqi nga Vranoci dhe ma solli një kompjuter për nevojat e shtabit të brigadës 131-të në Baran, ndërsa Rifat Morina pasi  kishte dëgjuar se kisha udhëhequr njësitin për intervenim në fazën e parë të betejës së Loxhës, u ofrua vullnetarisht që të inkuadrohet në brigadë. Që të dy ishin ish ushtar të mi, të cilët kishin shërbyer në Ajdovqinë të Sllovenisë. Duke e njoftuar se çfarë ushtari ka qenë, Rifatin e angazhova përgjegjës për punët administrative pranë shtabit të brigadës, i cili e kreu atë detyrë me përgjegjësinë më të lartë.

Dhimbjet në kofshën e djathtë më shtoheshin dita ditës. E luta përcjellësin tim Zymer Sefen që t´më shikojnë se çfarë kam. Më tha se ke një copë të granatës apo saçme. Vazhduam për në spitalin ushtarak në Irzniq dhe infermierja Time Kadrijaj ma bëri largimin e pjesës së mbetur, por më tha se s’është rrezik ti ke përjetuar gjëra më të vështira.

Isha në Logjë dhe vizitova shtabin e rajonal ku u takova me Shaban Shalën komandantin e shtabit dhe ushtarët e fshatit. Bëmë një analizë të hollësishme. Konstatimi ishte se gjendja në mes të ushtarëve dhe shtabit të fshatit s’ishte e mirë dhe me këtë pas bisedës që bëra me luftëtarët, këta kërkuan që të dislokohemi për disa ditë në Logjë.

U thashë se do të dërgoja dikë, por kishim mungesë edhe ne me kuadër ushtarakësh për faktin se nga 2 gushti kishte filluar ofensiva në fshatrat e Lugut të Baranit, dhe unë duhej ti koordinoja të gjitha veprimet në mënyrë që ti përballonim me sukses të gjitha sulmet, të cilat ishin shpeshtuar nga ana e armikut.

Luftëtarët parashtruan kërkesa, të cilat ishin të logjikshme dhe ushtarakisht të pranueshme. Vendosa që t’ju jap nga fondi i brigadës karburante për çeljen e trasesë së parë, istikameve, strehimoreve, duke e bërë lidhjen e fshatrave që nga Raushiqi nëpërmes Morinëve-Logjës në drejtim të Lugmirit për Gorazhdec.

Takimi me “Hitlerin”

Këtu mësova se një person, i cili merrej me minimin dhe deminimin e terrenit quhej “Hitler”. Kërkova që personi në fjalë t’më sillet dhe ta shoh se për kënd bëhej fjalë. Pas arritjes dhe përshëndetjes u prezantova, komandant Nazif Ramabaja, ndërsa ai mu prezantua “Hitleri”. I thashë: ma thuaj emrin e vërtet se nuk dua të kem punë me “Hitlera”, më tha se ka marrë vendim që edhe tri ditë të dal me emrin e vërtetë. “Ma thuaj tani, se tri ditë në luftë janë të gjata, dua që tani ta di se kush je”, i thashë. “Po ta them sepse je treguar i shkathët në mbrojtjen e Loxhës dhe kam dëgjuar për ty, quhem Besim Gashi”. E njoftova me sistemin e organizimit në zonën përgjegjëse të brigadës 131, për obligimet dhe detyrat, të cilat parashtrohen para kësaj brigade dhe konkretizimin e tyre nëpërmes njësiteve operative të UÇK-së dhe shtabeve të fshatrave në zonën përgjegjëse.

Prej këtij kontakti “Hitleri më s’ishte Hitler”, por Besim Gashi, i cili mori detyra konkrete nga unë se si duhet organizuar mbrojtja, e posaçërisht për minim dhe dominim, sepse kjo detyrë i shkonte përshtati dhe i takonte profesionit të tij.

Më vonë për shkak të shkathtësive të tij, qëndrueshmërisë dhe nevojën vendosa për ta zëvendësuar komandantin e policisë ushtarake në brigadën 131 në Baran, Hasan Gashin, i cili kishte nevojë të lirohej nga detyra për ti kërkuar familjen. Besim Gashin, dikur ish ”Hitlerin” e emërova komandant të policisë ushtarake në brigadën 131-të, të cilën detyrë e kreu me përkushtim dhe lojalitet të lartë.

Me 10 korrik ndodhi incidenti në kazermën e Prapaçanit, këtë e kam shpjeguar në shkrimet e mia të mëhershme dhe s’dua të ndalem në këtë sepse opinioni është i njohur me këtë ngjarje. Biseduam gati tërë natën në Llukë, përfaqësuesit e eprorëve ushtarak në krye me komandantin Tahir Zemaj, unë (Nazif Ramabaja), Esat Ademaj dhe disa të tjerë me shtabin e Gllogjanit të Rekës në krye me Ramushin. U dakorduam pjesërisht dhe të nesërmen bëmë vëzhgimin e terrenit në Lugun e Baranit për ta bërë vendosjen e brigadës 131. Si objekt zgjodhëm shkollën e Baranit, e cila i plotësonte kushtet për një repart të tipit të kazermës ushtarake.

Marshimi me Ramushin

Më 11 korrik sulmohet Strellci i Epërm ku pat të vrarë dhe plagosur. Armikut i shkaktuam humbje, dy policë të vrarë. Në këtë aksion kishte marrë pjesë vetë komandanti Zemaj dhe me gjithë vështirësitë që u paraqitën gjatë këtij sulmi, Strellci u mbrojt.

Granatohet, Loxha dhe Raushiqi, por me ndërhyrjen e luftëtarëve të fshatit të Loxhës dhe qëndrueshmërinë e tyre evitohet sulmi i armikut, i cili sulm kishte për qëllim që ti marrin kufomat e oficerëve policor, të cilët kishin mbetur në betejën e Logjës të 6 korrikut. Shtabi i fshatit Logjë hezitonte për ti dorëzuar këto kufoma dhe pas kësaj ndërhyn Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe OSBE-ja, dhe me anën e këtij ndërmjetësimi bëhet dorëzimi i kufomave.

Më 12 korrik 1998 në Vranoc të vogël, në prani të popullatës së fshatrave të Lugut të Baranit bëhet kompletimi me ushtarë i brigadës 131, sepse bërthama e saj me oficer të karrierës ishte formuar në Papaj, pas së cilës pasoi hyrja e njësiteve operative të FARK-ut në Kosovë.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe vetë Ramushi me disa vartës të tij, dhe pas kompletimit me ushtarë të fshatrave të Lugut të Baranit, marshuam drejt objektit, repartit ushtarak shkolla e Baranit, të cilin repart e emëruam me emrin: “Kazerma Adrian Krasniqi”. / Vijon

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat