Ahmet Krasniqi: “Do të hyjë në Kosovë nëse s’më vrasin”

Fejtone

Ahmet Krasniqi: “Do të hyjë në Kosovë nëse s’më vrasin”

Nga: Nazif Ramabaja Më: 13 korrik 2018 Në ora: 17:19
Beteja

Më 12 gusht bien Gllogjani dhe Irzniqi në duart e forcave serbe, bëhet dezorganizimi total i luftëtarëve dhe fillon riorganizimi i ri më 20 gusht me formimin e SHORRD në krye me komandantin Tahir Zemaj, me prezencën e Ramush Haradinaj, i cili emërohet nga ministri i parë i mbrojtjes të Republikës së Kosovës kol. Ahmet Krasniqi.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 gushtit në shtabin e brigadës më informon Esat Ademaj se po bombardohej Loxha. Jap urdhrin për përgatitjen e një njësiti për ti shkuar në ndihmë Loxhës në krye të këtij njësiti urdhëroi varësin tim komandantin e batalionit të tretë të brigadës 131-të, dhe zëvendësin tim Esat Ademaj që të jetë në krye të këtij njësiti dhe ti prijë operacioneve për shpëtimin dhe mbrojtjen e Loxhës.

Luftimet kanë zgjatur tërë ditën deri në mbrëmje, forcat ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbo-ruso-ukrainase të mbështetura nga aviacioni luftarak, helikopter vëzhgues, tanke, autoblinda dhe mjete transportuese thyejnë mbrojtjen e Loxhës dhe në orët e mbrëmjes diku kah ora 18.00 e marrin fshatin Loxhë nën kontrollin e tyre.

Serbët përdorën edhe helme kimike

Vlen të ceket se gjatë sulmit të forcave serbe janë përdorë edhe mjete kimike, gjë që argumentohet nga njoftimi nëpërmjet anës operative se luftëtarët tanë është duke i zënë gjumi në istikame dhe se janë të molisur. Atëherë kam dhënë urdhrin për tërheqje në pozicionet rezervë, të cilat ishin të parapara më parë në Zllopek.

Gjatë tërë kohës që nga 15 gushti e deri më 8 shtator njësitet operative kanë qenë të stacionuara në Zllopek dhe Raushiq dhe është bërë ndërrimi i tyre i herë pas hershëm në mënyrë që ta pamundësojmë depërtimin e forcave serbe në drejtim të Prapaqanit dhe Isniqit.

Tërheqja për të evituar masakrimin e civilëve

Pas datës 8 shtator në pamundësi për ti bërë ballë ofensivës së armikut të gusht-shtatorit 98´, me të cilën Serbisë ju dha në një mënyrë edhe drita jeshile, në heshtje nga bashkësia ndërkombëtare për një ofensivë të tillë, njësitë operative të UÇK-së nën urdhrat e komandës supreme bën tërheqjen taktike të detyruar, për t´ju shmangur një masakreje ndaj popullatës së pambrojtur civile me më se 60 mijë refugjatë të ikur nga zonat e luftimeve, për të cilën dha garanci përfaqësuesi i OSBE-së për regjionin e Pejës Wolfgang Kaufman, shef i atasheve ushtarak, gjatë bisedimeve në Lugun e Baranit me komandantin Tahir Zemajn dhe me mua Nazif Ramabajën.

Plani i thyerjes së kufirit në Koshare nisi në shtator

Plani për thyerjen e kufirit me luftë nga forcat tona brenda dhe forcat, të cilat vepronin jashtë Kosovës, Padesh-Rrasa e Zogut-Koshare të udhëhequra nga legjenda e Koshares figura katërdimensionale Agim Ramadani, që kishte qëllim bashkimin e tyre, dhe hapjen e kufirit na dështoi, për shkak të vendosjes dhe bunkerizimit të hekurt të forcave serbe në atë pjesë të brezit kufitar, trekëndëshi Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi.

Riorganizimi i njësiteve operative u bë në Papaj, pasi ushtarët e kaluan kufirin në grupe të vogla, ku edhe u bë strukturimi dhe kompletimi i brigadave 131, 133 dhe 134 në kuadër të grupit operativ G-3, dhe përgatitjet për thyerjen e mëvonshme të kufirit shqiptaro-shqiptar, e njohur në opinionin e brendshëm dhe ndërkombëtar, si lufta e Koshares e përgatitur nga strategu, arkitekti i përpilimit të këtij plani kush tjetër përpos legjendës Agim Ramadani.

Plani ishte bërë që nga shtatori i vitit 98´ deri më 9 prill 99´, kur pasoi zbatimi i tij në terren dhe u bë thyerja e kufirit me luftë të përbashkët, por e udhëhequr nga njësitet operative të UÇK-së Grupi operatv G-3 nën drejtimin e oficerëve të karrierës dhe kur për herë të parë shkeli çizmja e ushtarit tonë në gurin e shkulur që simbolizonte ndarjen e popullit në dysh.

Merita u takon të gjithë pjesëmarrësve në këtë luftë, ushtarëve që kishin ardhur nga të gjitha viset shqiptare, por meritë kolosale dhe të vetme për organizim, planifikim, sulme të njëpasnjëshme dhe shkaktimin e humbjeve të armikut kishte dyshja Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, e pas tyre të 114 dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, të plagosurit dhe invalidët e luftës legjendare në Koshare.

Në kontekst të luftës mund të themi lirisht se Legjenda e Loxhës ishte dhe mbeti komandanti Tahir Zemaj, ndërsa për Kosharen legjenda ishin dhe mbetën Agim Ramadani dhe Sali Çekaj.

Raportimi para ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit

Me kthimin tonë në Papaj, nisi riorganizimi, strukturimi dhe u bë takimi i oficerëve të karrierës pjesëmarrës të betejës së Logjës komandant Tahir Zemajt, Nazif Ramabajës, Esat Ademajt, Sali Çekajt dhe mbrojtësve të Junikut Agim Ramadanit e Rrustem Berishës, të cilët me organizimin dhe profesionalizmin e tyre shpëtuan popullatën civile pas rënies së Junikut, vet Agim Ramadani me bashkëluftëtar të mbetur në Jasiq, siç ishte Astrit Ademaj, Xaj Çela e të tjerë bën deminimin e terrenit dhe bartën të plagosurit duke shpëtuar nga masakra e madhe e forcave serbe të ndërmarrura në zonën kufitare.

Informuam ministrin e mbrojtjes Ahmet Krasniqin dhe zëvendësin e tij Agim Mehmetin për rrjedhat e operacioneve luftarake dhe aktivitetin e gjertanishëm në pika të shkurta, morëm detyra të reja dhe mësuam për plane të reja nga ministri Ahmet Krasniqi, i cili e kishte bërë më herët të qartë, edhe hyrjen e tij dhe të një pjese të shtabit suprem në Kosovë.

“Do të hyjë në Kosovë nëse s’më vrasin”, dëgjohej duke thënë Ahmet Krasniqi, “mua mund t’më ndodhë çdo gjë, por Tahir Zemajt s´guxon ti ndodhë asgjë”, thoshte ministri.

Nga forca të errëta, të cilat s’ia deshën të mirën Kosovës, e as nuk donin formimin e një ushtrie institucionale, profesionale, ku do të kishin vend të gjithë, pa marrë parasysh politikën ditore, pra një ushtri që do të ishte nën një ombrellë dhe komandë të njësuar, e që kishte për qëllim koordinimin, organizimin, subordinimin dhe respektimin e hierarkisë ushtarake të zinxhirit vertikal komandues, me 21 shtator, nga një dorë e zezë qëllohet për vdekje në një atentat të planifikuar dhe organizuar mirë dhe të ndihmuar nga armiqtë e kombit, mu në mes të kryeqytetit të shqiptarëve Tiranës, nga bandat e Nanos dhe Klosit u vra ministri i parë i mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi.

Me humbjen e Ahmet Krasniqit humbën njësitet Operative të FARK-ut, humbi UÇK-ja, e cila ende nuk u bë ushtri për shkak të mungesës së zinxhirit komandues, të vijës vertikale dhe profesionalizmit ushtarak, humbi Kosova dhe ende po i bartim pasojat e këtij atentati, një gjeneratë e tërë. / Vijon

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat