15 vjet burgim për vrasjen e të riut në Ferizaj

Ferizaj

15 vjet burgim për vrasjen e të riut në Ferizaj

Nga: Diana Bunjaku Më: 27 tetor 2017 Në ora: 10:57
Foto nga gjykimi

Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot më datën 27 tetor 2017, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit M.A, i cili në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 178 dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”, nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë për veprën penale “Vrasja” nga neni 178 të KPRK-së, të pandehurin M.A e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katërmbëdhjetë (14) vjet, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”, nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së, me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet. Në bazë të dispozitës së nenit 80 pika 2 të KPRK-së, të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vjet.

I pandehuri M.A, akuzohet se me datën 18 gusht 2016, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.R, duke shtënë në drejtim të tij dy herë me revole, pas një mosmarrëveshje të mëhershme që kishte ndodhur ndërmjet tyre, me ç ‘rast i ndjeri nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Konform nenit 193 paragrafi 1 të KPRK-së, konfiskohet revolja e tipit “Vzor”, me një karikator, pesë copë fishekë si dhe revolen e tipit “Vzor...” me një karikator dhe dy copë fishekë.

Të pandehurit me aktvendim të veçantë, i vazhdohet masa e paraburgimit deri se aktgjykimi të marr formën e prerë. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej (pesëmbëdhjetë) 15 ditë nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Në lidhje me këtë rast ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat