Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të shkollës ekonomike në Ferizaj

Ferizaj

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të shkollës ekonomike në Ferizaj

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 12:04
Pamje nga seanca

Është shtyrë gjykimi ndaj ish-drejtorit të shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica”, në Ferizaj, Aziz Rexhepi i akuzuar për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Seanca gjyqësore, e cila ishte paraparë të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është shtyrë me kërkesë të prokurorit Arben Ismajli, i cili në këtë shqyrtim gjyqësor zëvendësoi prokurorin e kësaj çështje penale, Shukri Jasharin.

Prokurori Ismajli, para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Sahit Krasniqi, tha se nuk është i përgatitur që ta përfaqësoi lëndën penale ndaj tani të akuzuarit Rexhepi, për arsye që siç tha, lëndën e ka pranuar sot dhe nuk ka arritur që t’i analizoi të gjitha shkresat.

Ndërsa, për prokurorin Shukri Jashari, i cili nga fillimi i procedurës e ka përfaqësuar këtë çështje, u tha se gjendet në vizitë zyrtare në shtetin e Norvegjisë.

Propozimin për shtyrje të seancës nuk e kundërshtuan palët në procedurë, konkretisht i pandehuri Rexhepi me mbrojtësin e tij, avokatin Avni Ibrahimi si dhe i dëmtuari Naser Muhaxheri, i përfaqësuar po ashtu nga mbrojtësja me autorizim, avokatja Labinota Qosa – Ilazi.

Seanca e radhës, është caktuar të mbahet më 1 dhjetor 2017, në ora 10:00.

Ndryshe, shqyrtimi gjyqësor i së mërkurës pritej të fillonte rishtazi, pasi që nga seanca e fundit e mbajtur më 19 dhjetor 2016, kanë kaluar më shumë se tre muaj, afat ky i paraparë me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës,  që do të thotë se kanë kaluar rreth 11 muaj nga shqyrtimi i fundit gjyqësor.

Tani i pandehuri Aziz Rexhepi, po akuzohet se duke qenë drejtor i shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj, ka përvetësuar shumën e të hollave në vlerë prej 10,370 euro, shumë kjo e cila i është besuar të njëjtit, për shkak të pozitës së tij.

Rexhepi pretendohet se veprën penale e ka kryer në atë mënyrë që këshilli organizativ i shkollës pasi kishin grumbulluar paratë nga nxënësit në vlerë prej 28,800 euro, të njëjtat ia kanë dorëzuar tani të pandehurit, me qëllim që këto para pastaj t’i dorëzoheshin përfaqësuesit të NTP “Bardhi”, tani të dëmtuarit Muhaxheri, i cili ka fituar tenderin për transportin e nxënësve për ekskursionin në Republikën e Shqipërisë.

Sipas marrëveshjes përfaqësuesi i NTP “Bardhi”, ka qenë i autorizuar që t’i kryej pagesën e qëndrimit të nxënësve në hotel, transportin si dhe vizitat në qytete. Rexhepi kishte bërë pagesën e hotelit kinse në vlerë prej 23,220 euro pa autorizim dhe pa prezencën e të dëmtuarit, kurse pagesa e hotelit është dashur të bëhet në vlerë prej 13,360 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat