Në maj nis ndërtimi i spitalit regjional të Ferizajt

Ferizaj

Në maj nis ndërtimi i spitalit regjional të Ferizajt

Më: 28 prill 2018 Në ora: 14:00
Pamje nga ndertimi i spitalit regjional ne Ferizaj

Në muajin maj do të vihet gurëthemeli për fillimin e ndërtimit të spitalit regjional të Ferizajt, projekt ky i cili vetëm për t’u ndërtuar do të kushtojë 10.2 milionë euro, pa përfshirë pajisjen me aparaturën nevojshme.

Fillimit të ndërtimit të spitalit më së shumti po i gëzohen ferizajasit, të cilët shprehen se nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë drejt Prishtinës e vendeve të tjera për të marrë shërbime shëndetësore.

Për qytetarin Elmi Muhedini, ndërtimi i spitalit ka qenë kaherë i nevojshëm, ndërsa thotë se do të jetë një lehtësim për të gjithë banorët e këtij qyteti për të marrë shërbime në vendin e tyre.

Muhedini: Spitali ka qenë i nevojshëm në qytet të Ferizajt

“Spitali kaherë ka qenë i nevojshëm në qytet të Ferizajt me thënë të drejtën, se ka nevojë ka edhe raste tash me shkua në Prishtinë nuk ia vlen për shembull kur na si komunë edhe jemi rritur goxha shumë. Komuna e Ferizajt ka një hapësirë shumë të madhe dhe ka numër shumë të madh të qytetarëve dhe ia vlen me pas spitalin këtu e jo me shkua nëpër komuna të tjera. Është shumë i nevojshëm”, është shprehur ai.

Edhe banori tjetër i komunës së Ferizajt, Ramiz Reçica  është shprehur se fillimi i ndërtimit të spitalit është dashur të bëhet shumë më herët.

Recica: Pse me shkuar në Prishtinë kur mundemi në Ferizaj

“Sigurisht që është mirë se qytet i madh është, ka nevojë për spital...Do të bëhet më mirë, sigurisht pse me shkuar në Prishtinë kur mundemi në Ferizaj, ku qyteti i dyti apo i treti në Kosovë me banorë”, tha ai.

Përkundër vërejtjeve që ka për shëndetësinë kosovare, Shaban Neziri banor i Ferizajt, thotë se fillimi i ndërtimit të spitalit është shumë i rëndësishëm, pasi sipas tij, banorët e këtij qyteti kanë pasur nevojë për një spital.

Neziri: As nuk diskutohet sa është i rëndësishëm

“Qyteti i Ferizajt duke u radhitur brenda Kosovës si qyteti i tretë për nga madhësia, për nga numri i banorëve normal që as nuk diskutohet sa është i rëndësishëm, është i një rëndësie jetike. Bile, bile është dashur kaherë të ndërtohet...Megjithëse kemi shumë vërejtje në shëndetësinë e Kosovës po shpresojmë që një ditë do të vetëdijesohen të gjithë edhe institucionet që ndërtohen për të mirën e qytetarëve të ofrojnë shërbime gjithashtu për të mirën e qytetarëve. Unë shpresoj që deri sa të ndërtohet shpresojmë që edhe shëndetësia në Kosovë në përgjithësi të rregullohet”, është shprehur ai.

Ndonëse e quan lajm të mirë që do të fillojë të ndërtohet, për banoren e Ferizajt, Fitore Sahitin, thotë se spitali do të duhej të ndërtohej tek parku “Liria”.

Sahiti: Më afër shërbimit shëndetësor është më mirë sesa në Prishtinë

“Jo në vendin ku është planifikuar, mendoj se është më mirë për të sëmurët ose për ata që i vizitojnë ka natyrë...Është shumë e rëndësishme, sepse më afër shërbimit shëndetësor është më mirë sesa në Prishtinë, pasi që për gjendjen shëndetësore të pacientëve është më larg Prishtina kështu që më afër është më mirë”, tha ajo.

Fillimin e ndërtimit të spitalit të komunës së Ferizajt lajm të mirë po e quan edhe drejtori ekzekutiv i rrjetit të organizatave AVONET, Kenan Gashi, i cili shpreson që ndërtimi të fillojë sa më shpejt në mënyrë që qytetarët të mund të marrin shërbime shëndetësore.

Gashi:Ferizaj, i vetmi regjion ka mbetur pa një spital

“Ky projekt tashmë është bërë një histori e veçantë për qytetarët e Ferizajt dhe për qytetarët e regjionit të Ferizajt, sepse dihet se shumë herë kjo ka pas stagnime, është ripërsëritur tenderi dhe për fat të mirë tashmë po fillon një çështje shumë diskutuese në shoqërinë tonë, por ne dhe gjithë qytetarët tashmë e dinë se do të filloj dhe besoj se do të përfundoj sa më shpejt, sepse është e rëndësishme ku i vetmi regjion apo qytet ka mbetur pa një spital”, tha ai.

Për kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ndërtimi i këtij spitali do t’iu ofrojë qytetarëve të kësaj komune shërbime shëndetësore më të mira, po ashtu edhe stafi shëndetësor do të ketë mundësi dhe kapacitete më të mira për të ofruar shërbime cilësore.

Aliu është shprehur se me ndërtimin e këtij spitali përveç banorëve të Ferizajt, do të përfitojnë edhe banorët e e komunave fqinje.

Aliu: Të gjitha repartet që janë të zakonshme për një spital regjional

“Janë shumë reparte, praktikisht pothuajse të gjitha repartet që janë të zakonshme për një spital edhe spitali regjional do t’i ketë pikërisht të gjitha repartet që janë në kuadër të veprimtarisë kryesore të ofrimit të shërbimeve mjekësore. Duke pasur parasysh edhe faktin tjetër se nuk është spital që do t’i shërbej vetëm qytetit të Ferizajt, por do i shërbej gjithë regjionit të Ferizajt duke përfshirë pra edhe komunat fqinje po edhe komunat fqinje jashtë territorit të Ferizajt. Pasi që, Ferizaj është një qendër e afërt me shumë komuna dhe sigurisht se kjo do të shërbej edhe për komunat e tjera që janë përtej fqinjësisë së regjionit të Ferizajt”, është shprehur kryetari Aliu.

Duke qenë se do të fillojë të ndërtohet brenda muajit që po hyjmë, përfundimi i tij pritet të bëhet brenda dy viteve. Ndërsa, funksionalizimi i plotë i tij, sipas kreut të Ferizajt pritet të bëhet më së largu deri në përfundim të mandatit të tij si kryetar i komunës.

Aliu: Dy vite ndërtimi i spitalit, pastaj do të jetë edhe pajisja me aparaturë

“Unë po besoj se në bazë të planifikimeve dhe dashtë Zoti që të shkoj gjithçka sipas planifikimit do të jetë dy vite ndërtimi i spitalit dhe sigurisht që pastaj do të jetë edhe pajisja me aparaturë dhe pajisje të tjera mjekësore. Po besoj që në vitin e fundit të qeverisjes time, po besoj megjithëse kjo nuk është krejtësisht në kompetencën tonë, është në kompetencën e Ministrisë së Shëndetësisë po unë po besoj që dinamikën që i ka dhënë ministri i MSH, Uran Ismaili do të ketë dinamikë edhe në spitalin e Ferizajt dhe që praktikisht sa më herët që është e mundur të fillojë me shërbime. Kostoja e spitalit në ndërtimin pa aparaturë dhe pajisje të tjera është 10.2 milionë euro dhe tashmë ministria i ka siguruar të gjitha këto mjete dhe sigurisht që do të jenë mjete të mjaftueshme për të parë në Ferizaj një spital modern që në fakt do të jetë një ndër spitalet më të mira në Republikën e Kosovës ”, tha ai.

Spitali regjional i Komunës së Ferizajt do të ndërtohet tek ish-tregu i kafshëve në rrugën “Driton Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat