Vihen pika kontrolli policor për mbrojtjen e pyjeve

Ferizaj

Vihen pika kontrolli policor për mbrojtjen e pyjeve

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 19:28
Sot, një ekip i drejtorëve komunalë, i udhëhequr nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu vizituan vendkalimet ku janë vendosur pikat e kontrollit policor në Neredime

Komuna e Ferizajt ka marrë vendim për vendosjen e pikave të kontrollit policor në hyrje-daljet e zonave malore me qëllim mbrojtjen e pyjeve nga dëmtuesit dhe kontroll më të shtuar ndaj zonave malore.

Sot, një ekip i drejtorëve komunalë, i udhëhequr nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu vizituan vendkalimet ku janë vendosur pikat e kontrollit policor në Neredime, në vendin e quajtur “Bashkimi i dy lumenjve” si dhe në livadhet e fshatit Papaz.

Ndërkohë do të vendoset vend-roja dhe ndalesat edhe në fshatin Burrnik, me qëllim që pyjet të mbrohen nga dëmtuesit, të cilët ndër vite kanë shkatërruar këto zona me prerjet ilegale.

Vullneti i qeverisjes lokale për mbrojtjen e pyjeve dhe gjetja e bashkëpunimit të mirëfilltë me Policinë e Kosovës, ka rezultuar në ulje drastike të mundësisë dhe qasjes së keqpërdoruesve të pyjeve, përkatësisht dëmtuesve të pyjeve.

Për këtë të dhënë, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë tha se me gjithë kundërshtimet kryesisht nga prerësit ilegal të pyjeve, qeverisja lokale është e pa kompromis në mbrojtjen e pyjeve, në parandalim të masakrës mjedisore në këto zona.

“Ne si qeverisje e kemi parasysh që furnizimi i popullsisë së Ferizajt dhe ngrohja bëhet ekskluzivisht me dru dhe kemi bërë kërkesa të vazhdueshme tek Agjencioni i Pyjeve që të na mundësohet që mbeturinat që janë brenda territorit tonë nëpër male t’i shfrytëzojmë ne. Nuk kemi marr ende ndonjë përgjigje zyrtare, po presim dhe po insistojmë vazhdimisht që mali të shfrytëzohet në mënyrë të kontrolluar. Jemi të pa kompromis në vendosjen e rendit. Sa i përket kundërshtimeve për vendosjen e këtyre pikave të kontrollit, ndalimi i prerjes ilegale të pyjeve ka pasur rezistencë, jo shumë të madhe”, tha drejtori i Bujqësisë, Burim Bajrami.

Ky hap i qeverisjes lokale, është i pari i kësaj shtrirje dhe hap i mirë koordinuar me organet e sigurisë në mbrojtje të pyjeve nga dëmtuesit, rezultatet e së cilës vlerësohen nga kontrollet ditore nga forcat e rendit dhe organet përkatëse komunale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat