“Unë, Daniel Blake”, shfaqet premiera e filmit në Londër

Filma

“Unë, Daniel Blake”, shfaqet premiera e filmit në Londër

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 17:00
Unë, Daniel Blake

Regjisori veteran Ken Loach ka shënjestruar kryeministren britanike Theresa May dhe sistemin zgjedhor amerikan në premierën e dramës së tij më të re, “Unë, Daniel Blake”. Loach dhe stafi i filmit ishin në Londër për eventin e tapetit të kuq që gjithashtu u ndoq nga lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn.

Një grup protestuesish u mblodhën jashtë kinemasë, me postera duke ju drejtuar kalimtarëve mbi ndikimin negativ të shkurtimeve në mirëqenie. Drama tregon historinë se si sistemi i sigurimit social britanik çon një marangoz dhe një nënë beqare në varfëri, në qytetin veri-lindor të Newcastle. Komediani Dave Johns luan rolin e Daniel Blake, të cilit i mohohen përfitimet e aftësisë së kufizuar pasi shpallet i paaftë për punë për shkak të një sëmundjeje. Ai miqësohet me Katie, që portretizohet nga Hayley Squires, teksa ata luftojnë me autoritetet. Loach, i cili rrëmbeu Palmën e Artë në Festivalin e Kanës për këtë dramë, komentoi mbi politikat e qeverisë së re britanike.

“Kur Theresa May u bë kryeministre, ajo foli fjalë pajtuese, por ne i dimë veprimet e saj, e njohim qeverinë e saj. Ajo ka qenë pjesë e një qeverie që ka vendosur një regjim të mizor ndaj njerëzve. Është qeveria e sanksioneve. Kur ato zbatohen, jetët e njerëzve bien në kaos. Ata nuk mund ta përballojnë, e dinë që janë në prag të vetëvrasjes, historitë janë pafund. Ndoshta gjatë rrugës për në kinema, ju mund të shihni disa nga këta shembuj. Qeveria e di se çfarë ata po bëjnë, nuk kanë nevojë për një film që t’jua thotë. Mendoj se na duhet një ndryshim i madh, na duhet t’i heqim dhe të mos i flasim atyre.”

Regjisori gjithashtu u shpreh i zhgënjyer me gjendjen e sistemit zgjedhor amerikan, vetëm një muaj para zgjedhjeve presidenciale.

“Zgjedhjet amerikane janë një reklamë e turpshme për demokracinë e atij vendi, duket sikur vetëm të pasurit mund të bëhen president. Mënyra si zgjedhjet janë degjeneruar, sjell turp për sistemin e tyre zgjedhor dhe shpresoj se ata do të thonë: Si mund të kemi një demokraci të vërtetë që nuk është vetëm njerëz të pasur që abuzojnë me njëri-tjetrin?”

Edhe lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, vuri në dukje problemet me të cilat haset shoqëria britanike.

“Mendoj se Loach ka të drejtë, nuk jemi aq të pasionuar sa duhet dhe pranojmë shumë padrejtësi. Pse ka njerëz që flenë në rrugë? Pse ka njerëz që lypin? Pse fëmijët po rriten në apartamente të mbajtura keq, të mbipopulluara e me lagështi, kur ata mund të jetojnë në një vend më të denjë dhe të kenë rezultate më të mira në shkollë e çdo gjë. Duhet të kemi njerëzi dhe dhembshuri dhe vendosmëri për të ndryshuar gjërat.”

Edhe pse filmi fokusohet në personat që jetojnë në kufinjtë e shoqërisë britanike, aktorët protagonistë thanë se ata kanë zbuluar se këto tematika kanë jehonë ndërkombëtare.

“Kam shkuar në shumë festivale filmash përqark Europës dhe njerëit më kanë thënë pas filmit se kjo po ndodh edhe në vendet e tyre. Nuk është vetëm Anglia, vetëm Britania e Madhe, është kudo. Njerëzit e thjeshtë, mendoj se janë ngopur duke u fajësuar për të gjitha problemet në tregjet financiare, dhe tani mendoj se ka zemëratë.”

“Ngatërresat mund të jenë të ndryshme, detajet e sistemit të mirëqenies gjithashtu, por thjeshtësia e saj, themelet janë ekzaktësisht të njëjtat. Unë dhe skenaristi zbuluam se në Nju Jork janë 20.000 fëmijë që jetojnë në streha. Ka një problem universal, le të jetë në lidhje me strehimin, mungesën ose funksionimin e sistemit të mirëqenies dhe kryesorja është rritja e hendekut mbi çfarë kemi dhe çfarë nuk kemi. Njerëzit që jetojnë në varfëri, klasa e mesme po venitet teksa është vetëm dy ndalesa larg rradhës për bukë, dhe pastaj super të pasurit dhe super të shëndoshët e fuqishëm. Hendeku po rritet dhe kjo është diçka universale.”

“Unë, Daniel Blake” do të jetë në kinematë britanike duke filluar nga data 21 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat