Film në Londër për sopranon shqiptare Ermonela Jaho

Filma

Film në Londër për sopranon shqiptare Ermonela Jaho

Më: 26 shkurt 2017 Në ora: 17:00
Ermonela Jaho

Opera Mbretërore e Londrës (Royal Opera House) do të nis këtë javë xhirimet për një film dokumentar për këngëtaren shqiptare me famë Botërore Ermonela Jaho.
 
Kjo deklaratë është bërë në faqen zyrtare të operës, ku ky institucion prestigjioz e vlerëson këngëtaren me një metaforë të pazakontë, që nënkupton se Ermonela Jaho është vetë zëri i operës.
 
“Në qoftë se opera është e re për ju, ose thjesht keni kureshtje, sopranoja Ermonela Jaho do të bëjë më të mirën e saj për t'ju përgjigjur. Ne do të përzgjedhim disa këngë dhe do t’i përdorim për të krijuar një film që do të xhirohet javën tjetër.”, shkruhet ne faqen zyrtare
 
Në faqen zyrtare të Operës Mbretërore të Londrës janë dhënë disa detaje nga skenari i filmit, ku do të jetë së pari intervista sesi Ermonela Jaho u bë këngëtare e operës.

Më tej do të tregohet për sfidat e saj në skenat botërore dhe sukseset e mëdha në operën londineze. Ermonela Jaho është e vlerësuar me shumë çmime prestigjioze, ndërsa një vit më parë ajo u vlerësua me çmimin më të lartë, që konsiderohet si Oscari i Operës: me çmimin e publikut Internacional Opera Awards.
 
Në film do të përfshihen edhe emocionet e yllit botëror të muzikës operistike në ceremoninë e zhvilluar në Londër një vit më parë.
 
Ermonela Jaho tashmë është këngëtarja me e preferuar e Operës Mbretërore në Londër. Aktualisht ajo po përgatit për të kënduar operën Madamme Buterfly të Puccinit më 20 mars.
 
Dhe këtë premierë do ta këndojë në këtë opera deri më 10 prill. Ermonela Jaho është bërë tashmë ylli fluturues në të gjitha operat e mëdha botërore, në Operën e Parisit, të Nju Jorkut, në Operën e Romës, të Madrindit e të tjera. Për të kritika pas çdo ngjitje në skenë ka vetëm një fjalë, “Ermonela Jaho shkëlqeu”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat