Gjurmë vendase në filmat amerikanë, ja veprat ku u identifikuam si shqiptarë!

Filma

Gjurmë vendase në filmat amerikanë, ja veprat ku u identifikuam si shqiptarë!

Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 10:13
Filmat amerikanë

Hollywood-i nuk ka qenë krejt indiferent ndaj Shqipërisë. Edhe pse në të shumtën e rasteve u sollëm në qendër të vëmendjes nëpërmjet figurës së kriminelit apo prostitutës, shqiptarët janë ekranizuar në kinema që në 1990, në sezonin e parë të “The Simpsons”. Si gjithmonë shënjestruar për keq, hollivudianët jo gjithmonë kanë qenë të saktë në atë çka kanë sjellë në këmbim të karakterit apo atmosferës shqiptare.

Ne kemi sjellë disa nga prodhimet ku gjenden gjurmë vendase, edhe pse disa prej tyre bazohen kokë e këmbë në Shqipëri. I mbani mend filmat e mëposhtëm?

The Simpsons: The Crepes of Wrath
Ndoshta shumë prej jush nuk e kujtojnë këtë episod, por “The Crepes of Wrath” u bazua nga fillimi në fund mbi shkëmbimin e dy studentëve: një shqiptar (Fadili) dhe një amerikan (Bart). Fadili prezantohej si një spiun i qeverisë shqiptare, i cili ishte dërguar nën maskimin e studentit, për të marrë informacione mbi armët nukleare, deri sa u kap nga amerikanët dhe u rikthye në atdhe.

Wag the Dog
Një satirë mbi median në bashkëpunim me kupolën e shtetit, “Wag the Dog” solli historinë e një regjisori, i cili duhej të shpikte një histori të trilluar për një luftë artificiale në një vend shumë pak të njohur, për të larguar mendjen e amerikanëve nga çështjet më të nxehta të asaj kohe. Vendi i përzgjedhur ishte pikërisht Shqipëria, që përshkruhej si një shtet ku lufta po përpinte jetën e njerëzve. Pasi u zbulua e vërteta, Jim Belushi u prezantua si vetvetja në film, duke deklaruar në intervistë se ndihej i turpëruar për një sajesë të atillë, dhe se Shqipëria ishte shumë larg asaj situate. Nën performancën e aktorëve si: Dustin Hoffman, Rober Deniro, Kirsten Dunst etj, kufijtë shqiptarë morën jo pak vëmendje nga “Wag the Dog”.

Taken
“Paç fat” ishte shprehja që mbërtheu shqiptarët para ekranit, kur “Taken” mori bujë si kurrë më parë. Edhe këtë herë nën petkun e kriminelëve, ishte Arben Bajraktaraj ai që pati më shumë peshë ndër vendasit e tjerë të paraqitur në film. Përballë Liam Neeson, Bajraktaraj u vlerësua si kurrë më parë, por kjo ishte vetëm pjesa e parë nga katër episodet e “Taken”. Në pjesën e dytë, shqiptari i maqedonisë Luran Ahmeti do të portrtizonte të njejtën figurë, duke vulosur ‘pasionin’ e prodhuesve të “Taken” për identifikimin tonë si kriminelë.

My Mom’s New Boyfriend
Me Meg Ryan dhe Antonio Banderas si protaginistë, në një skenë të filmit, ky i fundit e fton Ryan në një lokal shqiptar. Theksuar për mungesën e informacionit për Shqipërinë, regjisori ka paraqitur një lëmsh të kulturës turke me flamurët shqiptarë të vendosur në tryeza. Balerinat bellydance, ashtu sikurse dhe muzika orientale në sfond nuk korrespondojnë aspak me Shqipërinë, por kjo nuk është se nuk pritet nga një komedi romantike…me Meg Ryan për më tepër!

True Justice 2
Me protagonist Steven Seagal, ky ishte filmi që Bleona Qerreti mbajti jehonë për lojën e saj në një rol episodik. Bleona flet shqip në film, ashtu sikurse përshkruan disa nga bukuritë dhe karakteristikat e shqiptarëve. “True Justice 2” vjen në dy versione, si serial dhe si film artistik, ndërsa Bleona luan rolin e prostitutës.

War Dogs
Referuar totalisht historisë së Efraim Diverolit dhe David Packouz, filmi ndjek rrugëtimin e dy personazheve ekzistues në Shqipërinë e viteve të fundit. Të interesuar tejmase për tregëtinë e armëve, lokacionet e filmit janë të vendosura kryesisht në territorin shqiptar. Nën interpretimin e Jonah Hill dhe Miles Teller, shumë nga personazhet në film, me emra konkretë ose jo konkretë janë lehtë të identifikueshëm me karakteret që njohim nga historitë e dëgjuara që pas çështjes së Gërdecit. Krim, krim dhe …krim!

Mother!
Përsëri si kriminel, në prodhimin më të fundit të Darren Aronofsky-t, Gent Bejko sjell vetëm një frazë në gjuhën shqipe, ndërsa ky moment është vendosur në skenën ‘tabloid’ të njerëzimit dhe natyrës së tij shkatërruese. Në rolin e hajdutit, Bejko thotë këtë frazë: “A ka naj gjo ajo më?”, zhargon i përdorur kundrejt kolegut të tij, i cili po përpiqej të vidhte diçka.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat