Rosberg, fantastik

Formula 1

Rosberg, fantastik

Më: 4 shtator 2016 Në ora: 19:02
Nico Rosberg

Nico Rosberg triumfon për herë të parë në Çmimin e Madh të Italisë, duke e reduktuar tashmë diferencën me kreun, në klasifikimin e përgjithshëm në vetëm 2 pikë. Në Autodromin e Monxës sërish dominuan makinat Mercedes dhe të vetmet emocione ndoshta i dhuroi Lewis Hamilton, i cili rikuperoi nga vendi i gjashtë në të dytin. Në mënyrë të pashpjegueshme kampioni në fuqi i botës gaboi krejtësisht në start duke rrëshqitur edhe prapa australianit Daniel Ricciardo. 31-vjecari britanik pasi kaloi pilotin e skuadrës Red Bull vuajti disi prapa finlandezit Valtteri Bottas, ndërsa në vazhdim 3 herë kampioni i botës i kaloi pa shumë probleme dy pilotët e Ferrarit, që kishin strategji të ndryshme, me një “pit stop” më tepër.

Pista e Monxës ka pak kthesa, kështuqë pjesa tjetër e garës nuk ofroi asgjë më shumë dhe Nico Rosberg pas triumfit në Spa siguroi fitoren e dytë radhazi, duke e mbyllur garën me plot 15″ avantazh kundrejt shokut të tij të ekipit. Pa atë gabim në nisje me shumë gjasa në Itali piloti anglez do të regjistronte fitoren e 50 në karrierë, pasi ditën e shtunë Hamilton siguroi pole position me 0.5″ epërsi krahasuar me Rosberg, sidoqoftë duke lënë mënjanë këmbimin e pozicioneve ndërmjet dy pilotëve të ekipit Mercedes, podiumi ashtu sic pritej u kompletua nga një makinë Ferrari, më saktë nga 4 herë kampioni i botës Sebastian Vettel, që u nis i treti dhe e përfundoi garën e tij po në të njëjtin vend, i shkëputur rreth 6″ nga Lewis Hamilton.

Ashtu si Vettel edhe Raikkonen ruajti vendin e katërt, ndërsa dicka më prapa këmbeu pozicionet që kishte në start dyshja Bottas – Ricciardo me pilotin e skuadrës Red Bull që e mbylli aventurën italiane në vendin e pestë. Si për të konfirmuar monotoninë e Cmimit të Madh të Monxës Verstappen dhe Sergio Perez e filluan garën respektivisht në vendet 7 dhe 8 dhe e përfunduan po në të njëjtat pozicione, ndërsa zonën e pikëve e mbyllën Massa dhe Hulkenberg.
Nico Rosberg siguroi kështu fitoren e 7 sezonale dhe të 21 në karrierë duke u ngjitur në kuotën e 248 pikëve, 2 më pak se kampioni në fuqi, ndërkaq në betejën për vendin e tretë Vettel ngushton diferencën me Ricciardo-n në vetëm 8 pikë. Përsa i përket rivalitetit të konstruktorëve Mercedes që siguroi fitoren e tretë rresht në Itali numëron plot 208 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt të Red Bull, që tashmë e shikojnë avantazhin e tyre kundrejt Ferrarit të reduktuar në vetëm 11 pikë. Gara e ardhshme do të jetë ajo e Cmimit të Madh të Singaporit, që do të zhvillohet pas dy javësh në cirkuitin Marina Bay.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat