Cili është sekreti i suksesit?

Formula 1

Cili është sekreti i suksesit?

Më: 22 janar 2018 Në ora: 12:23
Mercedes

Mercedes i ka dhënë “lamtumirë” idesë për t’i vendosur të dy pilotët të barabartë në garën për titullin kampion dhe, sipas shefit të makinës gjermane Toto Wolff, kjo është gjëja më e mirë për të fituar titullin.

“Në të shkuarën, gjithnjë kam menduar se të kesh dy shokë skuadre të fortë dhe që duelojnë për titull është një gjë e mirë për skuadrën, por isha gabuar. Ky është një leksion që e kam mësuar me kalimin e viteve”, u shpreh Toto Wolff. Ai u shpreh se afrimi i Valtteri Bottas në ekip pranë Lewis Hamilton ishte një gjë e mirë edhe për skuadrën, pasi ndryshoi tërësisht ambientin në skuadër krahasuar kur ishte Nico Rosberg.

Wolff pranon se për të ka qenë shumë e vështirë të menaxhonte skuadrën kur kishte dy pilotë kampionë, të shpejtë dhe që synonin titullin, si Hamilton dhe Rosberg, çka u kuptua edhe në pistë, me dy pilotë që mund të rrezikonin përplasjen dhe të dëmtonin skuadrën. “Mentaliteti dhe raporti mes dy pilotëve aktualë e ndryshoi tërësisht atmosferën brenda skuadrës, duke qenë më të hapur e komunikues me njëri-tjetrin. Kjo na ndihmoi shumë sezonin e fundit, për të rikuperuar edhe kur ishin në disavantazh ndaj Ferrarit, pasi të dy pilotët bashkëpunuan shumë mes tyre, ndryshe nga më parë”, u shpreh Toto Wolff.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat