Po afrohet momenti që një femër të marrë pjesë në garat e Formula 1. Pilotja 25-vjeçare kolumbiane Tatiana Calederon, pilotja e tretë e makinës Sauber Alfa-Romeo, do të zbresë në pistë ditën e martë me makinën zvicerane, në testet e gomave Pirelli të lejuara nga FIA. Sipas rregullores, ajo do të përshkojë 23 xhiro në pistën meksikane Hermanos Rosdriguez, aty ku ditën e diel zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Meksikës në Formula 1.
Tatiana Calderon aktualisht garon në Botërorin e GP3, por sot ka marrë lajmin e mirë se mund të pilotojë një makinë të Formula 1. “Jam shumë e lumtur dhe entuziaste për këtë mundësi që më është dhënë nga Sauber Alfa-Romeo. Do të jetë hera e parë në karrierën time që do të pilotoj një makinë të Formula 1. Që kur kam nisur këtë sport kam deklaruar se objektivi im është të pilotoj në F1, ndaj kjo do të jetë një përvojë unike”, tha Calderon.