Presidenti i Shqipërisë: I lamë gjermanët për herë të parë jashtë Europianit

Futboll

Presidenti i Shqipërisë: I lamë gjermanët për herë të parë jashtë Europianit

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 20:24
Presidenti i Shqipërisë: I lamë për herë të parë jashtë Europianit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka kujtuar në profilin e tij zyrtar, barazimin historik 0:0 të Shqipërisë ndaj Gjermanisë 53 vjet më parë në stadiumin “Qemal Stafa”.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Meta shkruan se ishte një arritje e madhe e Kombëtares kuqezi, e cila i bëri të pamundur Gjermanisë për herë të parë të kualifikohet në Europian, diçka që deri në atë kohë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Postimi i Metës: 

Sot kujtojmë me krenari, një nga ndeshjet më të shkëlqyera të Kuqezinjve, barazimin historik 0-0 me Gjermaninë Perëndimore në “Qemal Stafa”, rezultat që skualifikoi 53 vjet më parë Nënkampionët e Botës nga Euro ’68 dhe shokoi futbollin gjerman të asaj periudhe.

Kombëtarja Kuqezi e drejtuar nga legjenda Loro Boriçi, zbriti në fushë me Koço Dinellën, Frederik Gjinalin, Lin Shllakun, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Medin Zhega, Frederik Jorgaqi, Ramazan Ragami, Ali Mema, Teodor Vaso e Panajot Pano, duke luajtur një nga ndeshjet më të bukura ndonjëherë, për të shënuar edhe një gol në minutën e ’53, por që nuk u quajt i rregullt nga arbitri austriak, Ferdinand Marschall.

Gjermania Perëndimore luante me emrat më të njohur të kohës, me futbollistët e shquar Peter Meyer, Gunter Netzer, Willi Schulz e shumë të tjerë, por që në atë ndeshje dramatike për ta, nuk arritën dot më shumë se barazimi, duke regjistruar për të parën herë mosmarrjen pjesë të këtij ekipi të madh në një Kampionat Europian.

Për trajnerin gjerman, Helmut Schon kjo ishte: “Dita më e zezë e karrierës. Një ndeshje dhe një rezultat mizor.” Ndërsa lojtari gjerman Bernd Patzke, do të shprehej: “Ajo ndeshje ka hyrë në librat e historisë së futbollit gjerman.”

Krenar për kuqezinjtë e asaj dite, të cilët u dhanë krahë ëndrrave të gjeneratave të mëpasme, për arritje më të mëdha të niveleve europiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat