Duka “jep llogari” para Asamblesë së FSHF-së

Futboll

Duka “jep llogari” para Asamblesë së FSHF-së

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 11:12
Duka “jep llogari” para Asamblesë së FSHF-së

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka mbajtur fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakoshme, e cila po zhvillohet online për shkak të pandemisë. Ndër të tjera, kreu i futbollit ka nënvizuar: “Futbolli po njeh rritje, në klube po punohet mirë, po shohim talente të rinj që po luajnë. Mungesa e tifozëve i penalizon futbollistët dhe ekipet, por shpresojmë shumë që të kemi praninë e tyre në stadium sa më shpejt dhe situata të normalizohet.

FSHF ka bërë detyrën e saj, e kam ndjekur nga afër këtë proces. Premtimi që kemi marrë nga kryeministri ka qenë pozitiv, miratimi i ligjit të sponsorizimit do të bëjë të funksionojë çfarë nuk ka funksionuar për 30 vite, por do të hapë faqe të re. Në pak vjet sporti do të shndërrohet në ekonomi të fortë. Nuk kërkojmë lëmoshë, por atë që na takon.

Llogaritet një impakt prej 45 milion eurosh që ka sporti në ekonomi, por jemi të vetëdijshëm që të dhënat tona janë vetëm një pjesë e realitetit, nuk përfshin në studim mijëra të ri që luajnë futboll, si futbolli 5×5 apo 9×9.

Do të marrim në skaner një grup klubesh për të parë kontributin që japim edhe në industri. Si në Sllovaki, futbolli kontribuon atje në ekonomi me 170 milion euro, pak a shumë si ne janë edhe me popullsi. Studimi i plotë do të bëhet në mënyrë më shteruese.

Të zhvillojmë futbollin e kemi për detyrë, ndihmon shumë, edukon lojtarët, i bën qytetarë të mëdhenj dhe të devotshëm, prodhon futbollistë profesionistë që i sjellin të ardhura shoqërisë, mbushin stadiumet dhe i dhurojnë lumturi tifozëve.

Jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi një fond rregullues për sportin. 17.2 milion euro taksa ka paguar FSHF në 10 vite, teksa ka investuar 55 milionë euro. Shpresoj te fjala e kryeministrit, por nuk do rrimë duarkryq. Nuk do bojkotojmë, por do bëjmë zgjidhjet tona.

UEFA zgjodhi “Air Albania” si vendi ku do zhvillohet finalja e “Conference League”. Na mbush me krenari ky vendim, mbushëm një objektiv për të sjellë në Tiranë një finale të madhe. Vlerësojmë dhe përshëndesim gatishmërinë e institucioneve shqiptarë, bashkisë dhe enteve, hoteleve etj.

Falënderim i veçantë për UEFA-n dhe Komitetin Ekzekutiv. Nuk do i zhgënjejmë me mikpritjen shqiptare. Stadiumi ynë ka një defekt, fushën. U mendua natyral për shkak të klimës së favorshme, provuam, por është e pamundur. Kemi marrë masa, brenda vitit 2021 ajo fushë do të jetë në kushte optimale.

Kombëtarja? Planet u pozicionuan nga prania po jo e futbollistëve, tamponët dhe regjimet e futbollistëve në vendet ku luajnë. E kthyem në oportinitet për të ftuar sa më shumë lojtarë të rinj, të cilët garantojnë dekadën e ardhshme dhe do i shërbejnë objektivit Euro 2024.

Koha na dha të drejtë, e mbyllëm në vend të parë në Nations League dhe u ngjitëm një vazo më lart. Para pak ditësh u njohëm edhe me shortin e eliminatoreve të Botërorit. E vështirë, por nuk do të dorëzohemi. Asnjë skuadër nuk do e ketë të lehtë në Tiranë. Shpresoj t’i kemi tifozët, jemi të ndërgjegjshëm për forcat e tre ekipeve të para, por edhe për forcën tonë.

Shpresat arritën rezultate mbresëlënëse. Arritëm vendin e tretë në grup, për herë të parë prej vitit ’90. Po bëhet një punë e mirë tek ekipi Shpresa dhe në ekipet e tjera zinxhir. Paraqitje të mirë ka bërë edhe ekipi i vajzave. Ata kanë dhënë maksimumin, falënderoj edhe kampionet e Vllaznisë, me kualifikimin e një turi në Champions, iu bashkua ekipit të meshkujve.

Dy prioritetet: futbolli i femrave dhe zhvillimi i futbollit të fëmijëve, kanë marrë vemendjen tonë maksimale. Kanë marrë jetë shumë projekte, iniciativa, të afrojmë sa më shumë djem e vajza në ekipin tonë.

Ka nisur edhe kampionati i futbollit 5×5, për herë të parë e organizuar nga FSHF. Programi i edukimit është realizuar dhe ka ardhur duke u përmirësuar. Klubet tona ndjejnë deficitet në mjekë, përgatitës atletikë. Kemi ndërtuar strategji dhe programe për mbushjen e këtyre mungesave. Risi ka qenë edhe fushata e kursit të përgatitësve atletikë, kanë folur emra të mëdhenj të trajningut botëror, duke rritur reputacionin e këtij aktiviteti.

Kemi hedhur bazat e një bashkëpunimi me universitetet sportive. Po punojmë për implementimin e projektit të 100 fushave. Ky projekti ambicioz do të kërkojë shumë përkushtim, por do të përmirësojë ndjeshëm gjendjen e infrastrukturës.

Qeveria nuk e ka lexuar projektin, ministria e Arsimit është nxituar të na kthejë përgjigje negative. Do vazhdojmë projektin, do e mbështesim me 50% të financimit. Duam të shtojmë inventarin e fushave. Do t’i përkrahim fëmijët me kujdes.

Mënyra shtetërore e drejtimit të sportit është e turpshme, më e turpshmja e 30 viteve të fundit. Qëllimi i Asamblesë është përmirësimi i disa dokumenteve bazë tonat. Drafti që propozohet për t’u miratuar është një hap cilësor për ne, për përfaqësim më të mirë, barazimin e futbollit profesionist me atë amator, përfaqësimin e futbollit të femrave dhe të fëmijëve dhe dhënien e më shumë kompetencave ndaj Asamblesë.

Drafti është miratuar në unanimitet nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Ky proces do të vazhdojë për të përshtatur statutin e çdo anëtari të FSHF-së. Zoti qoftë me ne, mbaroftë sa më shpejt kjo pandemi, suksese në zhvillimin e kësaj, qoftë e fundit virtuale“.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat