Të gjithë në ndjekje dhe kundër Vllaznisë

Futboll

Të gjithë në ndjekje dhe kundër Vllaznisë

Më: 30 janar 2021 Në ora: 12:47
Thomas Brdariç

Të gjithë në ndjekje dhe kundër Vllaznisë. Sepse, pema me kokrra plot goditet, thotë populli. Dhe kuqeblutë e kanë dëshmuar deri tani se janë “kryefjalë” e Superiores. Me 9 pikët më shumë se ndjekësi më i afërt në klasifikimin aktual, Partizani, të cilin do ta sfidojnë nesër, shkodranët duken të vendosur për të mos lëshuar pe. Supersfida e radhës është tejet domethënëse për ta, aq sa edhe për “demat e kuq”. E thënë ndryshe, ky ballfaqim konsiderohet si një ”semafor” për fatin e titullit.

Do të “çimentohet” Vllaznia në krye apo do të hapet gara? Këtë do ta mësojmë nesër. Trajneri Thomas Brdariç, në konferencën për shtyp, bëri parashikimin e tij: “Janë kushte të tjera nga ndeshja e fazës së parë me Partizanin. Të gjithë lojtarë janë stërvitur maksimalisht. Jemi shumë të përqendruar, pasi ndeshja është e vështirë. Do t’iu përmbahemi parimeve tona, lojtarët kanë besim dhe janë të sigurt në vetvete. Nesër do të futemi në fushë me vetëbesim, nuk do t’i mbingarkojmë futbollistët. Do t’u japim mundësinë të luajnë lirshëm.

Ndalimi i Teutës edhe një fitore me Partizanin? Unë mundem të flas kur bëhet fjalë për ekipin tim. Ju falënderoj që besoni në arritjen e diçkaje të madhe, siç është fitimi i titullit kampion. Njerëzit që na mbështesin janë gjë e bukur shumë. Sidoqoftë, duhet të jemi realistë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Do t’i marrim ndeshjet një e nga, të përqendrohemi te rivali i radhës e të mos hallakatemi. Të ruajmë strukturën e lojës për të rritur cilësinë. Këtë sistem loje do ta përdorim në çdo ndeshje.

Afrimet e bujshme te Partizani? Siç e kam thënë më parë, ne jemi në pozicion të favorshëm. Të gjithë bëjnë merkato dhe marrin lojtarë të mirë, që të na ndjekin dhe të na bëjnë presion. Ne nuk kemi frikë. Rivalët nuk kanë fjetur gjumë, kanë marrë lojtarë cilësorë. Partizani ka edhe trajner me eksperiencë e të përgatitur.

Lojtarët kundërshtarë mundohen të na e bëjnë jetën më të vështirë, por ne duhet t’i ndalim të na shënojnë. Ne i kemi lojtarët e mirë. E di, Partizani ka marrë Hasanin. Atij i duhen disa javë që ta marrë veten, nuk besoj të jetë gati. Po e marr vetëm si shembull. Mua nuk më intereson çfarë lojtarësh janë, por mënyra e lojës. Dua të ndërtoj një strategji, që të mos na godasin.

Barazimi? Nuk po mendojmë për rezultatin, do t’ia lëmë fushës. Më intereson si do të vendosemi në fushë. Lojtarët e mi e dinë që duhet të japim maksimumin. Kjo ka rëndësi. Pas ndeshjes mund t’ua them nëse më kënaq barazimi. Prurjet e janarit kanë nevojë për kohë, si te ne, ashtu edhe në skuadrat e tjera. Kemi shumë lojtarë që janë përgatitur dhe nesër besoj se do të jenë gati.

Ndeshje kyçe kundër Partizanit? Këto ekipe, që i keni parë në rritje, që kanë bërë merkato, po bëjnë maksimumin për të na e bërë jetën më të vështirë. Le të shohim si do të zhvillohet ndeshja.

Ne i shikojmë kundërshtarët dhe iu gjejmë pikat e dobëta. Ne do të luajmë njëlloj, si në çdo ndeshje, edhe ndaj Partizanit. Djali im te Vllaznia? Ai është lojtar i ri, me perspektivë. Do t’ia lëmë kohës. Është si gjithë të tjerët, ëndërron të bëhet futbollist. Normalisht do kohën e vet për këtë”..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat