Çeta ja dedikon golin tifozëve: Istogu nuk njeh kundërshtar për vendin e parë 

Futboll

Çeta ja dedikon golin tifozëve: Istogu nuk njeh kundërshtar për vendin e parë 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 11 shkurt 2021 Në ora: 17:49
Erjon Çeta

Si gjithmonë befasitë janë në garat e Kupës së Kosovës. Është garë e paparashikueshme dhe si shpeshherë ndodhin edhe senzacionet, siç ndodhi dje me fitoren e Istogut me rezultat 2:0 kundër Gjilanit të favorizuar. Nënkampionit në fuqi të Kosovës, Gjilanit, i hasi sharra në gozhdë dhe i habiti të gjithë me eliminimin nga gara e Kupës.

Djelmoshat e Istogut treguan angazhim deri në pikën e fundit dhe iu shpërblye me kualifikim në çerekfinale. 

Istogu është prej skuadrave më të mira në Ligën e Parë të Kosovës, grupi A dhe pretendon pozitën e parë, për t’u ngjitur në elitën e futbollit. 

Aktualisht janë në vend të katërt me 24 pikë, ngecin për dy pikë nga kampioni vjeshtor Dukagjini, dhe Malisheva, e cila e zë vendin e dytë.

Autor i golit të dytë të Istogut, Erjon Çeta, është krenar që me ekipin e tij rrëzuan Gjilanin dhe vazhduan rrugëtimin për Kupën e Kosovës, me shpresë se do të arrijnë sa më lartë.

“Bota sot”: Istogu ka befasuar të gjithë me kualifikim, duke e eliminuar favoritin e madh, Gjilanin. Ku ishin pikat më të forta të skuadrës tuaj?

Erjon Çeta: Pikat më të forta të klubit tonë ishin se ne u futem në ndeshje për fitore, angazhim maksimal në secilin repart e vetëbesimi i plotë na bëri që ta fitojmë këtë ndeshje.

“Bota sot”: Ju realizuat edhe një gol, që e vulosi fitoren, kujt ia dedikoni?
Erjon Çeta:
Padyshim që këtë gol ja dedikoi të gjithë tifozëve të klubit Istogu, që pareshtur na kanë përkrah në çdo ndeshje kampionale si dhe asaj të Kupës.

“Bota sot”: Istogu është në vend të katërt, sa i sheh gjasat që të ngjitet në elitë, ngec vetëm dy pikë nga lideri Dukagjini?

Erjon Çeta: Po, ne në çdo ndeshje kemi punuar fort që të jemi në pozitën e liderit, padyshim që ne do të punojmë edhe më shumë që të renditemi në pozitën e parë, fakti që ne jemi në pozitën e katërt ishim të penalizuar edhe nga dëmtimet. Gjasat janë dhe ne padyshim se do të jemi në pozitën e parë sepse kemi ekip kualitativ.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushte, atmosferën dhe cilat skuadra janë rivalët më të mëdhenj në luftë për vendin e parë?

Erjon Çeta: Me kushtet brenda klubit jemi super të kënaqur, kjo s’do koment. Atmosfera në klub është shumë e mirë, kemi kriju miqësi me secilin lojtar. Sa i përket rivalit ne nuk njohim rival, siç thash edhe më parë ne në këtë pozitë ku jemi, jemi për shkak të dëmtimeve që kishim në klub dhe rezultatet nuk ishin aq të mira, por tani ne nuk njohim kundërshtar për vendin e parë.

“Bota sot”: Kë e doni për rival për Kupë?

Erjon Çeta: Në bazë të atmosferës brenda klubit dhe pas asaj fitores kundër SC Gjilanit vërehet një motiv i jashtëzakonshëm, për ne nuk ka rëndësi kundërshtari, ndeshja e djeshme tregoi që Istogu ka një ekip të fortë, kushdo që mendon se me Istogun e ka lehtë gabon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat