Njeriut të rekordeve i mungon vetë...

Futboll

Njeriut të rekordeve i mungon vetë...

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 11:31
Njeriut të rekordeve i mungon vetë...

Një hap tjetër për historinë. Një moment historik i ri, që do të dëshironte ta festonte në fund të sezonit me trofeun më fisnik, atë që ka në mendje qysh nga dita kur vuri këmbën në “Appiano Gentile” për herë të pare, në verën e vitit 2012. Samir Handanoviç fryn “500 qirinjtë” në Serie A, duke arritur Ciro Ferrara në vendin e 15-të, sa iu takon lojtarëve me më shumë paraqitje në kampionatin italian të futbollit. Slloveni hyn kësisoji në një klub ekskluziv.

Samir është i huaji i dytë, me më shumë ndeshje të luajtura në historinë e Serie A, pas zv.presidentit të tij actual, Javier Zanetti, flamuri i fundit i madh zikaltër. Handanovic mban edhe shiritin e kapitenit, një simbol që klubi dëshironte të përfundonte në krahun e tij në momentin më të trazuar të dekadës së fundit, kur Spalletti dhe Interi u përfshinë plotësisht nga “çështja Icardi”. Askush më shumë se slloveni nuk mund të përfaqësonte lojtarin referues, shembullin e profesionalizmit dhe kulturës së punës. Asnjëherë një fjalë e gabuar ose një shkelje në jetën private, kurrë diçka që mund ta turpërojë klubin.

Samir ka arritur status të paprekshëm, falë viteve të punës së madhe dhe superperformancës në vazhdimësi. Pajtohemi, në dy sezonet e fundit ka humbur diçka për sa i përket sigurisë dhe ndërhyrjeve providenciale, me të cilat i kishte mësuar tifozët zikaltër. Sidoqoftë, karriera e Handanoviç është për kornizë. Që nga debutimi i tij në Serie A, Samir është portieri që ka bërë më shumë pritje në këtë kampionat: 1.439. Edhe në epokën e tri pikëve për fitore, vetëm një legjendë si Gigi Buffon e ka mbajtur më shumë se slloveni portën të pastër. Shkurtimisht, të jesh përpara performancës së Handanoviç, duhet të kesh jetuar një jetë si fenomen, si Buffon.

Handanovic është një gur në historinë e fundit të futbollit italian, lojtari më i pranishëm që nga sezoni 2004-2005, ai i debutimit të tij në Serie A. Por, si çdo histori e bukur, edhe ajo e Handanovic në Milano do të marrë fund së shpejti. Rinovimi i fundit skadon më 2022, që do të thotë se Interi ka pak më shumë se një vit kohë për të gjetur portierin, me të cilin do të përpiqet të hapë një cikël të ri.

Në shtëpi tashmë ka elementë me të ardhme të sigurt si Brazao (2000, tani i huazuar te Oviedo, një fenomen i mundshëm sipas Julio Cesar) dhe djali 18-vjeçar i Dejan Stankoviq (Filip).

Radu, gjithashtu jep garanci, sepse u rrit nën hijen e Handanovic. Në fletoren e menaxhmentit zikaltër janë tre emra të ekspozuar, të rrethuar me të kuqe: Musso, Cragno dhe Meret. Portierë të rinj, por tashmë me përvojë në Serie A. Identikite perfekte për trashëgiminë e rëndë të Handanoviç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat