Pioli me dy mungesa në derbi

Futboll

Pioli me dy mungesa në derbi

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 12:55
Pioli me dy mungesa në derbi

Një ditë para derbit të Madonninës mes Milanit dhe Interit, dy trajnerët duket se kanë përgatitur gjithçka sa i përket formacionit dhe strategjisë me të cilën do të përballojnë njëri-tjetrin të dielën në orën 15:00.

Kështu trajneri Stefano Pioli nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin titullar Ismael Bennacer, i cili u dëmtua sërish në transfertën serbe ndaj Crvena Zvezdës, ndërsa sot humbi edhe sulmuesin veteran Mario Mandzukiç, i cili shfaqi një problem muskulor dhe do të ndjekë derbin nga tribuna e “San Siro”-s.

Në portë për kuqezinjtë do të luajë padyshim Donnarumma, ndërsa edhe në mbrojtje do të konfirmohet katërshja titullare me Theo Hernandez nga e majta, Romagnolin e Kjaer në qendër dhe Davide Calabrian në të djathtë.

Në mesin e fushës të padiskutueshëm janë Calhanoglu e Kessie, ndërsa vendin e Bennacer pritet ta marrë Sandro Tonali, i cili është favorit ndaj mesfushorit të ardhur në merkaton e janarit, Soualiho Meite.

Sulmi do të udhëhiqet nga Ibrahimoviç, i cili pritet të mbështetet nga belgu Saelemaekers në krahun e djathtë, ndërsa në të majtë Pioli ka dyshime mes portugezi Rafael Leao dhe kroatit Ante Rebiç.

Sa i përket Interit, Antonio Conte nuk do të ketë në dispozicion vetëm mesfushorin Stefano Sensi, i cili është dëmtuar dhe pritet të ndjekë ndeshjen nga tribuna, por ka rikuperuar kilenin Arturo Vidal, i cili pritet të nisë ndeshjen nga pankina.

Tekniku zikaltër nuk shquhet si një trajner që ndryshon shumë dhe duke qenë se skuadra nuk pati asnjë angazhim gjatë kësaj jave, pritet që të konfirmojë të njëjtin formacion me të cilin mposhti Lazion të dielën e kaluar.

Kështu në mesfushë Eriksen do të ketë një tjetër shans të lërë gjurmë në derbi, pas atij goli që vlejti kualifikimin në Kupën e Italisë, ndërsa në krahun e majtë favorit është kroati Ivan Perisic përballë anglezit Ashley Young.

Formacionet e mundshme:
Milani: Donnarumma; Theo, Romagnoli, Kjaer, Calabria; Kessie, Tonali, Calhanoglu; Leao (Rebiç), Saelemaekers, Ibrahimoviç
Inter: Handanoviç; Bastoni, De Vrij, Skriniar; Hakimi, Barella, Brozoviç, Eriksen, Perisiç; Lautaro, Lukaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat