Në fundjavë tubohen futbollistët e Kosovës! Arsim Abazi kërkon më të mirët

Futboll

Në fundjavë tubohen futbollistët e Kosovës! Arsim Abazi kërkon më të mirët

Nga: Kemajl Goca Më: 25 maj 2021 Në ora: 17:50

Në fundjavë përkatësisht me 29-30 maj do të tubohen futbollistët më të mirë të të gjitha rajoneve të Kosovës, ku është një mundësi e mirë për t’u pa përgatitja dhe forma e tyre nga selektori i Kombëtares së Kosovës U-17, Arsim Abazi. 

Viti 2020 dhe 2021 padyshim se kanë qenë vitet më të vështira edhe për trajnerët, sepse kanë pasur peripeci për t’i përgatitur lojtarët për shkak të telasheve të njohura, me pandeminë Covid 19.

Arsim Abazi tha se do të organizojnë kampin dyditorë me lojtarët më të mirë nga rajonet e Kosovës, pastaj edhe me futbollistë nga diaspora, për të gjetur më të mirët për Kombëtaren, për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2022, që pritet të mbahen në tetor në një shtet, për grupin e 9-të ku bën pjesë edhe Kosova. 

Kosova është në grup të fortë me Austrinë U-17, Ishujt Faroe U-17 dhe Slloveninë U-17.

“Kanë përvojë më të gjatë austriakët dhe sllovenët. 

Austria dhe Sllovenia janë më përpara se ne, por ne jemi duke u përgatitur që të gjejmë përzgjedhjen sa më të mirë dhe të paraqitem sa më mirë në turneun kualifikues që mbahet në një shtet.

Në fund të muajit do t’i tubojmë futbollistët nga të gjitha rajonet e Kosovës, gjeneratën e vitit 2005. Tubimin e kemi me 29-30 maj, është dyditorë. 

Pas tyre, muajin tjetër do të kemi tubim me gurbetqarët (me diasporë), me bë një përzgjedhje të kombinuar me lojtarë të diasporës dhe të Kosovës, lojtarë që janë më formë (22 lojtarë) do të ftohen për t’u përgatitur sa më mirë për Slloveninë, Austrinë dhe Ishujt Faroe. Ishujt Faroe nuk i njoh aq shumë, por synimi ynë është më nxjerrë rezultate sa më të mira në grup”, tha Abazi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Abazi me Kombëtaren e Kosovës ka pasur edhe dy miqësore në Sofje me 14 përkatësisht 16 prill me Bullgarinë U-17, të dy takimet përfunduan pa gola (0:0).

“Në ndeshjen me Bullgarinë U-17 kemi bë një përzgjedhje të shpejtë dhe më shumë jemi përqendruar me lojtarë të Superligës së Kosovës,  sepse koha ishte e shkurtër (4-5 ditë) për me udhëtuar për në Bullgari. 

Nuk kemi pas kohë as rajonet mi përcjellur.  Djemtë kanë bërë një paraqitje të mirë, kanë mundur edhe më mirë. Liga jonë është më pak e përgatitur fizikisht, në përfaqësuese duhet me qenë mirë të përgatitur sidomos fizikisht. Kemi arritur rezultat të mirë, as nuk kemi shënuar as nuk kemi pësuar. Me disa lojtarë jam shumë i kënaqur, disa kanë mundur më bë më shumë. 

Duhet me pas kampe më shpesh sepse kemi pasur lojtar që për herë të parë ishin në përfaqësuese dhe jo të përgatitur maksimalisht për një ndeshje ndërkombëtare. Tash besoj se do të kemi kampe më shpesh, për t’u përgatitur për kualifikueset. Në përfaqësuese do të jenë ata që e meritojnë”, përfundon Abazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat