Reja nuk fshihet

Futboll

Reja nuk fshihet

Më: 6 qershor 2021 Në ora: 11:32
Reja nuk fshihet

Edi Reja tashmë e ka vendosur që në këtë edicion, objektivi i përfaqësueses shqiptare do të jetë të luajë me kundërsulm. Trajneri duket se ka hedhur poshtë idenë e një manovre të organizuara të sulmit dhe kjo bëhet e qartë nga vetë fjalët e tij pas ndeshjes me Uellsin, të publikuar nga FSHF. Aty ai tregon se çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të marrë rezultate dhe ideja e vetme që shpalos është mbrojtja e ngjeshur dhe kundërsulmi.

“Jam i kënaqur pasi erdhëm këtu në këtë fund sezoni dhe të gjithë lojtarët që kanë patur një fund-sezoni pak të ngjeshur ishin pak të lodhur. Por nga ajo që treguan në fushë nuk e dhanë këtë përshtypje. Treguam që jemi një ekip i mirë, nuk e pranuam nënshtrimin.

Kisha kërkuar vetë që të luanim me dy skuadra të nivelit të lartë për të parë se deri ku kemi arritur. Sot kemi parë që skuadra punoi shumë mirë, tregoi agresivitet, temperament të mirë për 90 minuta, por duhet të përmirësohemi pak sa i përket rinisjeve dhe vertikalizimeve, për të finalizuar më mirë. Sepse kur ke një mbrojtje të tillë, kur thyen aksionin mund të bësh më tepër në aspektin sulmues. Nëse përmirësohemi në këtë drejtim, mund të jemi një skuadër edhe më konkurruese dhe të marrim rezultate të mira.

Luajtëm ndaj Uellsit, ndaj një skuadre që ka lojtarë të cilët luajnë në Premier Ligë dhe i njohim shumë mirë, kështu që të marrësh një barazim është diçka shumë pozitive.

Sot ishte shumë e bukur sepse më në fund pamë pak tifozë në stadium dhe dëgjuam zërin e tyre pas një viti e gjysmë. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi edhe më shumë tifozë.

Ndaj Çekisë do të ketë shumë ndryshime sepse ata që luajtën sot shpenzuan shumë energji dhe do të jetë e vështirë që të rikuperojnë për dy ditë. Do të kemi në konsideratë edhe situatën e tyre, do t’i vlerësojmë edhe në vazhdim dhe të shohim nesër e pasnesër gjendjen. Por sigurisht unë dua që të aktivizoj të gjithë lojtarët që kemi grumbulluar, qoftë në fillim e qoftë në fund, ndaj do të ketë disa ndryshime”, ishin fjalët e Rejas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat