Pogba thyen heshtjen

Futboll

Pogba thyen heshtjen

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 11:04
Pogba thyen heshtjen

Paul Pogba është zotuar se Franca do të “kthehet më e fortë” pas eliminimit të hershëm nga “Euro 2020”, duke pranuar se “ndonjëherë futbolli mund të jetë mizor, por edhe i bukur”. Favoritët e turneut nuk shkuan dot më tej se 1/8 finale, pas një beteje emocionuese me Zvicrën, e cila përfundoi me humbje 5-4 nga pika e penalltive.

Franca, e cila arriti në finale të “Euro 2016” para se të bëhej kampione e botës dy vite më vonë, nuk e mbajti dot epërsinë 3-1, por u barazua 3-3 në kohën e rregullt. Në shtesën prej 30 minutash nuk ndryshoi asgjë, ndërsa nga pika e bardhë triumfuan helvetët.

Mesfushori i Manchester United, i cili shënoi golin e tretë të “Les Bleus” në Arena Kombëtare të Bukureshtit, shkroi në Instagram: “Ndonjëherë futbolli mund të jetë mizor… dhe gjithashtu i bukur. Ndeshja e fundit solli trishtim për ne dhe lumturi për kundërshtarët tanë. Kjo është bukuria e futbollit. Sigurisht, të gjithë dëshironim që të mund të kishim një rezultat pozitiv.

Faleminderit shumë për të gjithë tifozët tanë në të gjithë globin. Ishte bukur t’ju shihja, t’ju dëgjoja dhe të festoja me ju. Ju na dhatë shpresë dhe gëzim gjatë të gjitha lojërave tona. Ne do ta mbajmë kokën lart dhe do të kthehemi më të fortë. Më në fund, dua t’i uroj suksese Zvicrës!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat