Nis Superliga e Kosovës, analistët parashikojnë luftën për titull

Futboll

Nis Superliga e Kosovës, analistët parashikojnë luftën për titull

Më: 21 gusht 2021 Në ora: 10:32
Ilustrim

Sot fillon edicioni i ri garues i Superligës së Kosovës në futboll dhe pritjet janë të mëdha që të shohim një kampionat cilësor në futbollin vendor.

Do të jetë kjo hera e parë që ndeshjet e ligës elitare të futbollit vendor do të vëzhgohen dhe nga teknologjia VAR e cila do të ndikojë në rritjen e kualitetit të ndeshjeve pa harruar përforcimet e mëdha që klubet i kanë bërë gjatë afatit kalimtar veror.

Trajneri dhe analisti i futbollit Arbnor Morina thotë se në edicionin e ri të Superligës pritet një kampionat shumë cilësor për arsye se klubet kanë bërë investime të mëdha si në aspektin e menaxhimit ashtu edhe në atë të ngritjes se kualiteteve të futbollistëve.

Morina: Sinjalet janë që do të kemi një kampionat shumë kualitativ

“Nëse marrim si një parakusht investimet në futboll në këtë rast investimet në stafet profesionale dhe në futbollistë, atëherë sinjali i parë është që duhet të jetë kampionat i mirë, kualitativ për arsye se shumë klube kanë bërë investime që deri më tani nuk janë bërë në futbollin e Kosovës. Kur them këtu mendoj pikë së pari në stafet të cilat i udhëheqin ekipet edhe në futbollist të cilët kanë arritur një nivel mjaftë të lartë të pagesave të tyre dhe kjo është një prej parakushteve për të pasur një stabilitet më të madh dhe me qenë më të qetë ata të cilët luajnë por në anën tjetër kjo është edhe obligim i cili iu rri si shpatë pas qafe të gjithë atyre për arsye se nga të gjithë kërkohet rezultati kulminant.”, tha Morina.

Edhe analisti Arsim Plepolli thotë se Superliga e Kosovës është duke e rritur nivelin dhe kualitetin e saj për shkak të investimeve të mëdha që po bëhen nga ana e klubeve. Ai shton se në këtë drejtim po ndihmon shumë mundësia që klubet të dalin në garat evropiane.

Plepolli: Kampionati i Kosovës po shkon gjithnjë duke u rritur

“Këtu kampionati gjithmonë po shkon në rritje duke marr parasysh gjithmonë investimet që po i bëjnë edhe lojtarët shumë cilësore. I kemi katër apo pesë ekipe që janë super të përforcuara duke filluar nga Prishtina, Drita, Ballkani, Gjilani e po ashtu edhe Llapi. Kjo e benë kampionatin shumë më interesant, tani është një përparësi shumë e madhe për ne sepse e kanë konfirmuar që dalin katër ekipe në garat evropiane, kështu që po i bie 40 përqind të dalin në Evropë. Kjo nuk është pak dhe duhet komplimente të mëdha t’i jepen Federatës së Futbollit të Kosovës.”, tha Plepolli.

Megjithatë jo gjithçka është në rregull me futbollin. Trajneri Morina vë në dukje faktin se futbolli i Kosovës vazhdon të çalojë në aspektin e infrastrukturës dhe problemi më i madh sipas tij janë fushat sintetike të klubeve që po u shkaktojnë shumë probleme e lëndime lojtarëve.

Morina: Futbolli i Kosovës vazhdon të çalojë shumë në aspektin e infrastrukturës

“Ajo ku po çalon futbolli i Kosovës është edhe më tutje infrastruktura...Ne kemi të bëjmë me disa stadiume të cilat po ndërtohen me vite edhe nuk janë kërkah hiq. Kemi fusha të cilat ende janë sintetike e qe janë mjaftë të dëmshme për futbollistë. Vet fakti që kemi pasur shumë dëmtime të nyjeve të ligamenteve e të tjera na tregojnë që fushat sintetike nuk janë të atij kualiteti i cili nevojitet për një futboll profesional”, tha Morina.

E sa i përket asaj se cilat janë skuadrat që do të luftojnë për titullin kampion në Superligën e Kosovës, Morina thotë se është Gjilani skuadër nga e cila pret që të jetë në luftë për titull për shkak se ata nuk po e fshehin këtë ambicie, si nga trajneri, ashtu edhe nga lojtarët e kësaj skuadre.

NdërkohëPlepolli i sheh pesë skuadra që do të luftojnë për titullin kampion në edicionin 2021/22.

Plepolli: Këto janë pesë skuadra që i shoh si rivale për titullin e kampionit të Superligën e Kosovës.

“Dua të bëjë një ndarje. Pesëshen e parë dua t’i inkuadrojë për titull si Prishtinën, Dritën, Gjilanin, Llapin dhe Ballkanin ndërsa të tjerat mendojë që nën pesëshen do të jenë edhe pse futbolli është sporti numër një, është i paparashikueshme, nuk do të thotë që edhe një ekip si Malisheva të bëjë diçka të madhe, por prapë me kualitet mendoj që ekipet që i përmenda do të shkojnë deri në fund.”, theksoi Plepolli.

Por, ai ua tërheq vërejtjen klubeve të lartpërmendura se nuk do ta kenë aspak të lehtë me skuadra e promovuara këtë edicion në elitën e futbollit vendor, si Malisheva e Dukagjini.

Xhiroja e parë e edicionit të ri të Superligës së Kosovës zhvillohet sot dhe nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat