Jorginho nuk është i kënaqur

Futboll

Jorginho nuk është i kënaqur

Më: 27 gusht 2021 Në ora: 17:59
Jorginho nuk është i kënaqur

Pasi u njoh si lojtari më i mirë i vitit nga UEFA, Jorginho nuk është i kënaqur dhe po mendon për objektivat e tij të ardhshëm, si ekipor ashtu edhe personalë. Në fokusin e mesfushorit italian të Chelsea është “Topi i Artë”, por dhe Kupa e Botës me axurrët, vitin tjetër. Agjenti i tij, Joao Santos, në një intervistë për TMË, nuk humbet mundësinë për të goditur Antonio Cassano, i cili kishte kundërshtuar triumfin e klientit të tij në garën për “Topin e Artë”.

Lidhur me çmimin e UEFA-s, agjenti i Jorginhos tha: “Është rezultat i punës shumëvjeçare. Jorginho besonte fuqimisht se mund të ishte fitues, ai shpresoi dhe e arriti këtë qëllim të madh. Të gjithë futbollistët ëndërrojnë të luajnë në Ligën e Kampionëve, të dëgjojnë muzikën (himnin) e këtij kompeticioni. Të njihesh si lojtari më i mirë në garat europiane është fantastike”.

Dhe tani, hapi tjetër për brazilianin e Italisë: “Topi i Artë? Gjithmonë besojmë në të. Ne duam ta fitojmë. Jorginho ka arritur gjëra të mëdha. Liga e Kampionëve, Europiani, Superkupa, njohja si lojtari më i mirë në Ligën e Kampionëve. Epo, është e drejtë të mendosh dhe të besosh se i takon dhe Topi i Artë”.

Dhe pastaj përgjigjja ndaj fjalëve të Cassano, i cili tha se do të ishte një skandal nëse Jorginho e fiton këtë trofe: “Nëse Messi ose Cristiano Ronaldo thonë kështu, unë do ta respektoja fjalën e tyre. Ata kanë fituar aq shumë, sa do të duhej të blinin një shtëpi tjetër për t’i mbajtur trofetë… Cassano është ndoshta i frustruar, sepse nuk ka fituar asgjë në karrierën e tij, ndoshta do të kishte dashur të fitonte një çmim të rëndësishëm personal. Fjalët e tij janë qesharake. Ai thjesht tregon frustrim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat