Franca përballet me Bosnjën, Holanda me Norvegjinë

Futboll

Franca përballet me Bosnjën, Holanda me Norvegjinë

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 11:56
Mbappe

Diçka më shumë se një muaj e gjysmë pas përfundimit të kampionatit të fundit evropian skuadrat përfaqësuese të Kontinentit të Vjetër rikthehen në fushë, këtë herë për fazën kualifikuese të kampionatit të 22 botëror, që do të zhvillohet vitin tjetër në Katar, në muajt nëntor – dhjetor.

Franca ishte një ndër skuadrat kombëtare që zhgënjeu më shumë në evropianin e fundit dhe blutë sic dihet e mbyllën aventurën e tyre në mënyrë të papritur që në fazën e 1/8, teksa u eliminuan në Bukuresht nga Zvicra, pas gjuajtjeve të 11-metërshave. Për rrjedhojë paraqitja shumë e dobët në aktivitetin e fundit madhor u reflektua menjëherë edhe në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, ku Franca rrëshqiti një pozicion më poshtë, për të plotësuar podiumin, duke këmbyer vendin me përfaqësuesen e Brazilit, që u shpall nënkampione në edicionin e sivjetshëm në Copa America.

Drejtuesit e Federatës Franceze të Futbollit e falën trajnerin Didier Deschamps për performancën e dobët, përcarjen dhe problemet e shumta brenda grupit të lojtarëve që u grumbulluan prej tij. Në këtë mënyrë 52-vjecari do të udhëheqë ekipin të paktën deri në fundin e botërorit të ardhshëm, ku Franca përsëri konsiderohet si përfaqësuesja favorite për të triumfuar, bashkë me kombëtaret e vendeve të tjera si Brazili, Anglia dhe Spanja.

Tani përfaqësuesja franceze do të përpiqet të kthejë faqen dhe të sigurojë sa më shpejt që të jetë e mundur edhe kualifikimin për në fazën finale të botërorit të ardhshëm. Kampionët në fuqi patën favorin për t’u shortuar në një grup të lehtë, ku në letër blutë nuk duhet të hasin probleme. Franca kryeson Grupin D në Zonën Evropiane në kuotën e 7 pikëve, pas tre sfidave të para, e ndjekur nga Ukraina, që numëron vetëm 3 pikë pas tre ndeshjeve.

Për hir të së vërtetës verdheblutë që tashmë nuk kanë më as Andriy Shevchenko-n në timon nuk kanë fituar ende asnjë takim, ndërsa Bosnje Hercegovina ka humbur shumë pozicione, duke zbritur në vendin e 58 në renditjen botërore. Sfidën e radhës tani blutë do ta kenë pikërisht me skuadrën boshnjake, që ka pësuar një rënie të jashtëzakonshme në rezultate. Miqtë kanë 21,5 muaj pa fituar një ndeshje në të gjithë kompeticionet, megjithatë sikur të mos mjaftonte kjo Bosnje Hercegovina nuk njeh fitore gjithashtu edhe në asnjë nga pesë përballjet që këto dy përfaqësuese kanë pasur në histori, në sfidat ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet.

Trajneri Didier Deschamps ka grumbulluar për tre takimet me Bosnjen, Ukrainën dhe Finlandën për herë të parë në kombëtare mbrojtësin e Milanit Theo Hernandez, mesfushorin e Monakosë Aurelien Tchouameni, lojtarin e Romës Jordan Veretout si dhe sulmuesin e Bajerit të Leverkuzenit Moussa Diaby. Ndërkohë 52-vjecari ka thirrur për herë të dytë në ekipin përfaqësues portierin e ri të kuqezinjve Mike Maignan, që debutimin si zëvendësues e bëri në sfidën e tij të vetme me fanellën e kombëtares franceze, 13 muaj më parë në ndeshjen miqësore me Ukrainën, në të cilën blutë i asfaltuan verdheblutë 7-1 brenda në Saint Denis, por tekniku Didier Deschamps ka grumbulluar sërish edhe mbrojtësin e Seviljes Jules Kounde, që ishte në seleksionin e përzgjedhur të “gjelave” në kampionatin e fundit evropian. Bosnja në krahun tjetër pritet të zbresë në fushë me dyshen që luan në Milano Edin Dzeko – Rade Krunic, sidoqoftë ky është një grup me vetëm pesë ekipe, kështuqë skuadra e drejtuar nga bullgari Ivaylo Petev ka luajtur një ndeshje më pak.

Miqtë barazuan 2-2 në Helsinki me Finlandën dhe u mundën minimalisht në Stadiumin Grbavica të Sarajevos pikërisht me Francën, ndeshje që u zgjidh nga sulmuesi i Barcës Antoine Griezmann, i cili realizoi edhe golin e vetëm të takimit. Te vendasit është në dyshim mesfushori i Chelsea-t N’Golo Cante, gjithsesi interesant është fakti që në dy përballjet e mëparshme jashtë fushe, në Rennes dhe Paris, Bosnje – Hercegovina nuk njeh humbje, duke barazuar me rezultatin e njëjtë 1-1, kështuqë të trija fitoret “blutë” i kanë regjistruar në Sarajevo. Takimi Francë – Bosnje Hercegovinë do të luhet në orën 20:45, këtë herë larg kryeqytetit, në veri të vendit në Alsasë, në Qytetin e Strasburgut.

Po në të njëjtën orë në Grupin G do të luhet takimi Norvegji – Holandë, duel që do të mbahet në Stadiumin Ullevaal të Oslos. Dy vendet pozicionohen në vendin e dytë dhe të tretë me nga 6 pikë dhe humbjet e vetme në këtë grup këto përfaqësuese i kanë pësuar pikërisht nga Turqia, që kryeson në kuotën e 7 pikëve, sidoqoftë ekipi i drejtuar nga trajneri Senol Gunes iu bëri një goxha favor pesë muaj më parë, teksa shpërdoroi avantazhin e dy golave për të barazuar 3-3 me Letoninë brenda në Stadiumin Olimpik Ataturk të Stambollit.

Pas eliminimit zhgënjyes me Republikën Ceke në evropianin e fundit trajneri i mëparshëm Frank de Boer dha dorëheqjen, kështuqë tani portokallinjtë i janë besuar për herë të tretë në karrierë veteranit Louis Van Gaal. “Tulipanët” kryesojnë bilancin 9-5 me fitore në 20 sfidat ndërmjet tyre, sidoqoftë Holanda nuk njeh humbje prej afërsisht tre dekadash në përballjet me Norvegjinë dhe ka fituar rresht katër ndeshjet e fundit kompetitive, për më tepër pa pësuar as gol, shkruan Supersporti.

Në fund në orën 20:45 në Supersport do të keni mundësi për të ndjekur gjithashtu edhe takimin tjetër Portugali – Irlandë, ndeshje e vlefshme për Grupin A, ku Portugalia dhe Serbia udhëheqin në kuotën e 7 pikëve, pas tre sfidave të para. Ndeshja do të luhet në Estadio Algarve dhe natyrisht kapiteni Cristiano Ronaldo do të bëj cmos për të gjetur rrjetën, për t’u shndërruar që mbrëmjen e të mërkurës në golashënuesin më të mirë në historinë e këtij sporti, përsa i përket skuadrave përfaqësuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat