Selektori i Gjermanisë: Besoj që në fund do të arrijmë të marrim tri pikët

Futboll

Selektori i Gjermanisë: Besoj që në fund do të arrijmë të marrim tri pikët

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 11:02
Selektori i Gjermanisë: Besoj që në fund do të arrijmë të marrim tri pikët

Gjermania do të luajë sot në orën 20:45 një ndeshje të rëndësishme për kualifikueset e Botërorit në Katar. Në Reikjavik ndaj Islandës, “Pancerat” do të kërkojnë fitoren e tretë radhazi për të blinduar vendin e parë në grup. Trajneri Hansi Flik u shpreh se skuadra e tij do të japë gjithçka për të marrë me vete tri pikët në ishull.

Si është gjendja e skuadrës?

Marko Rojs do të mungojë për shkak të një problemi të vogël në gju. Ridle Baku nuk do të udhëtojë gjithashtu me ne në Islandë. Pjesa tjetër është mirë dhe gati për të luajtur.

Jeni i kënaqur me idenë e lojës?

Është diçka e re që kemi nisur të aplikojmë. Dua të falënderoj ndihmësit e mi të cilët kanë punuar mjaft mirë për t’ua bërë sa më të lehtë lojtarëve për të kuptuar mënyrën e lojës që unë kam në mendje. Puna e tyre shpeshherë nuk duket, por mund t’ju them që është shumë e vështirë.

Sa i rëndësishëm është Gorecka për skuadrën?

Çdo lojtar ka nevojë për lojtarë si Leoni. Ai është shumë inteligjent dhe i fortë njëkohësisht, shënon gola dhe ruan ekuilibrat në fushë. Fiton gati të gjitha dyluftimet si në ajër ashtu edhe në tokë. Shpresoj që të vazhdojë kështu pasi është një lojtar shumë i dobishëm.

Sa i druheni Islandës?

E dimë që islandezët janë në një fazë tranzitore, pasi shumë lojtarë janë larguar për t’ua lënë vendin të tjerëve, por ne duam të fokusohemi vetëm te loja jonë. Na pret një ndeshje e vështirë pasi kundërshtari është shumë i fortë fizikisht.

Ata mbrojnë mirë dhe janë gjithmonë të rrezikshëm në kundërsulme. Kemi parë disa klipe nga ndeshjet e tyre dhe lojtarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Besoj që në fund do të arrijmë të marrim tri pikët, edhe pse do të na duhet të djersijmë shumë për këtë gjë. Tri pikët do të ishin shumë të rëndësishme për vendin e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat