Vllaznia kundër Juventusit në Torino

Futboll

Vllaznia kundër Juventusit në Torino

Më: 9 shtator 2021 Në ora: 15:56
Vllaznia kundër Juventusit në Torino

Vllaznia e futbollit të femrave do të zhvillojë mbrëmjen e sotme në Torino ndeshjen e kthimit përballë Juventusit, takim i vlefshëm për raundin e dytë të Ligës së Kampioneve. Trajneri shkodran Nikolin Leka është prononcuar në prag të sfidës që do të luhet në orën 20:00 në Vinovo.

Leka thekson se skuadra e tij nuk do të zbresë në fushë e dorëzuar: “Jemi munduar që gjatë kësaj jave të bëjmë disa riparime të vogla brenda ekipit sepse tashmë i dimë më mirë pikat e dobëta dhe të forta të Juventusit. Gjithçka do t’ia lëmë fushës së lojës, ne nuk do të shkojmë të dorëzuar, por do të futemi në fushë për të bërë lojën tonë dhe do t’i marrim më të mirën e mundshme asaj ndeshjeje.

Në ndeshjen e parë patët probleme me mungesën e tre titullareve, Bajraktari dhe Rrahmani, të dëmtuara, si dhe Berisha me Covid-19. A do të jenë të gatshme për këtë ndeshje këto futbolliste? Bajraktari dhe Rrahmani nuk janë të gatshme sepse vazhdojnë të vuajnë dëmtimin, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është gati.

Sot, kemi bërë testet për Covid-19 dhe shpresojmë që mos të kemi penalizime me ndonjë futbolliste tjetër në mënyrë që të mos kemi mungesa të tjera”, shprehet trajneri i Vllaznisë. Leka, më pas tregon edhe recetën se si skuadra e tij mund t’ia dalë për të realizuar mrekullinë ndaj Juventusit:

“Një gol i shpejtë i yni në Torino do të na e shtonte jashtë mase moralin për të kërkuar më shumë. Ne vërtetë jemi një ekip i ri i futbollit të femrave në Shqipëri, por të mos harrojmë se ne jemi një ekip që kemi një përvojë shumë pozitive në Champions League me disa pjesëmarrje të suksesshme. Kështu që ne nuk i trembemi asnjë ekipi tjetër duke shpresuar gjithmonë që grupi i lojtareve të jetë i plotë dhe pa penalizime në testet e Covid-19”, përfundoi trajneri i Vllaznisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat