Vinicius Junior është emri më i lakuar për momentin në Madrid, me brazilianin që po kalon një formë të shkëlqyer në aspektin personal duke rezultuar vendimtar për madrilenët e Ancelottit.
Në katër javët e para të kampionatit, 21-vjeçari ka shkundur plotë 4 herë rrjetat e kundërshtarëve dhe për herë të parë me “Los Blancos” braziliani ka arritur të shënojë 4 gola, pasi edicionin e kaluar në 35 ndeshje shënoi vetëm 3 gola.
Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në rritjen e sulmuesit, i cili tashmë ka rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve në Spanjë.
Vinicius ndihet plotësisht madrilen dhe tani e ka kuptuar se ai është një lojtar i rëndësishëm për klubin dhe skemat e trajnerit.
Ka patur momente të vështira në karrierë, por në asnjë moment ai nuk mendoi për t’u dorëzuar, pavarësisht faktit se Zidane e mbante pothuajse vazhdimisht në stol. Çelësi është se Ancelotti i ka dhënë besimin e plotë, ia ka bërë me dije se ai është qëndër të projektit dhe vazhdimisht braziliani ka qenë i pashqetësuar edhe gjatë merkatos, kur shumë zëra afronin Mbape me Realin.
Forma e Vinicius është fantastike, i kanë mjaftuar 4 ndeshje për të përmirësuar statistikat e tij personale dhe koha po i jep të drejtë të dyja palëve, lojtarit dhe klubit. Për formën e lojtarit u shpreh besimplotë edhe ish-i i Realit, Savio Botolini, i cili tregoi se brazilianin e kishte ndjekur me vëmendje që në hapat e tij të parë me Flamengon dhe tani ai po përmbush të gjitha kërkesat që klubi apo edhe skeptikët kanë patur mbi të, ndërsa tifozët janë thjeshtë të dashuruar pas tij.