Për Tiranën është një ndeshje për t’u fituar

Futboll

Për Tiranën është një ndeshje për t’u fituar

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 14:07
Për Tiranën është një ndeshje për t’u fituar

Pas disfatës me Laçin, ndeshje të cilën vetë Orges Shehi e konsideroi më të dobtën e sezonit, Tirana kërkon të rikthehet menjëherë te fitorja përballë Teutës.

Në kampin durrsak, pas barazimit me Kukësin, ka pasur një prapakthehu. Në drejtimin e stolit është rikthyer Edi Martini, i dorëhequr pak javë më parë, ndërsa Renato Arapi ka marrë postin e drejtorit teknik.

Për Tiranën është një ndeshje për t’u fituar, për një reagim të menjëhershëm, për të mos lejuar ndjekësit që të afrohen në klasifikim, dhe mbi të gjitha për të shkuar me moralin lart në sfidën e fundit të këtij viti kalendarik, derbin e madh me Partizanin. Orges Shehi do të hedhë gjithsesi formacionin më të mirë të mundshëm, me Najdovskin që mbetet jashtë, ndërsa nuk përjashtohet një rikthim i Redon Xhixhës, kontributi dhe energjia e të cilit i ka munguar repartit sulmues.

Teuta, ndërkohë, vjen pas një ndeshjeje të mirë me Kukësin, ku bregdetarët krijuan raste të mira, por pa arritur t’i shfrytëzonin, me takimin që u mbyll me porta të paprekura. Konkretizimi mbetet një problem për skuadrën durrsake, që 9 pikë larg kreut, te kjo sfidë shikon një shans të mirë për të reduktuar distancën, ndërkohë që rikthimi i Martinit, strateg i fitimit të kampionatit dhe Kupës në dy vitet e fundit, pritet të ketë një efekt pozitiv në radhët e skuadrës kampione në fuqi.

Tekniku shkodran për këtë sfidë nuk do të ketë vetëm Xheksonin me pjesën tjetër të grupit. Takimi i fazës së parë mes dy skuadrave ishte spektakolar, me Tiranën që fitoi 3-2 një ndeshje rokamboleske, ku pati dy përmbysje rezultati, teksa edhe këtë të diel pritet një 90-minutësh i zjarrtë mes dy prej skuadrave më të kuotuara të këtij kampionati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat