Muajin e ardhshëm starton Kupa e Kombeve të Afrikës, te Liverpooli figurojnë tre futbollistë me origjinë afrikane

Futboll

Muajin e ardhshëm starton Kupa e Kombeve të Afrikës, te Liverpooli figurojnë tre futbollistë me origjinë afrikane

Më: 26 dhjetor 2021 Në ora: 16:35
Klopp

Muajin e ardhshëm starton Kupa e Kombeve të Afrikës dhe shumë klube të Kontinentit të Vjetër do të preken në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke humbur shërbimin e çmuar të shumë lojtarëve të rëndësishëm. Një prej klubeve që pritet të influencohet më tepër në këtë aspekt është padyshim ekipi i Liverpulit, që bëhet gati edhe për periudhën më të ngjeshur të sezonit në ishull.

Në radhët e “the reds” figurojnë tre futbollistë me origjinë afrikane, si Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Naby Keita, sidoqoftë drejtuesit e klubit nga Merseyside kanë besim se dyshja Mane – Salah do të jetë në dispozicion të trajnerit Jurgen Klopp edhe pas datës 27 dhjetor, që përbën edhe afatin përfundimtar për lojtarët e grumbulluar në përfaqësueset respektive, të cilat kanë fituar të drejtën për të marrë pjesë në fazën finale të edicionit të 33 Kupës së Kombeve të Afrikës, shkruan Supersporti.

Në bazë të rregullores së këtij aktiviteti nga dita e hënë 54-vjeçari nga Shtutgarti nuk do të mund të mbështetej dot më te futbollistët e ekipeve kombëtare që do të luajnë në edicionin e sivjetshëm të këtij aktiviteti, që do zhvillohet në Kamerun me pjesëmarrjen e 24 skuadrave përfaqësuese dhe do të organizohet në këtë vend nga 9 janari deri më datën 6 shkurt të vitit të ardhshëm.

Mohamed Salah luan për vendin më të sukseshëm të këtij kompeticioni, Egjiptin që ka triumfuar plot 7 herë në këtë aktivitet, ndërsa Sadio Mane dhe Naby Keita aktivizohen përkatësisht me skuadrat e Senegalit dhe Guinesë, që ndonëse numërojnë plot tre finale gjithsej përsëri mbeten tepër të uritura për sukses, pasi nuk ia kanë dalë kurrë për të ngritur trofeun më të lakmuar të këtij kontinenti, në rang përfaqësuesesh.

Vendimi i FIFA-s kërkon respektimin e rregullave nga krerët e klubeve dhe lejimin e futbollistëve për t’u grumbulluar me ekipet e tyre kombëtare 13 ditë përpara fillimit të këtij aktiviteti, por nuk përjashtohet edhe një marrëveshje konsensuale ndërmjet palëve, për t’i lëshuar lojtarët e interesuar me disa ditë vonesë.

Për hir të së vërtetës gjithçka ka ndryshuar në njëfarë mënyre pas reagimit dhe raportit të “Ëorld Leagues Forum”, që është ankuar ndaj drejtuesve më të lartë të FIFA-s dhe Konfederatës Afrikane të Futbollit në lidhje me këtë rregull, sipas tyre jo vetëm të paarsyeshëm por gjithashtu edhe joproporcional.

Sipas të përditshmes “Daily Express” klubet e Forumit të Ligave Botërore” kanë ranë dakord për të mos t’i lëshuar lojtarët e tyre për në Kupën e Kombeve të Afrikës para datës 3 janar, gjë që do të thotë se trajneri Klopp i të kuqve do ta ketë dyshen Salah – Mane në dispozicion për dy ndeshjet tepër të forta që klubi nga Merseyside do të ketë jashtë fushe në datat 28 dhjetor dhe 2 janar respektivisht me kundërshtarë si Leicester City dhe Chelsea.

Largimi i këtyre dy futbollistëve bashkë me mesfushorin Naby Keita nënkupton faktin se këta futbollistë do të mungojnë në dy sfidat që Liverpuli do të ketë me sistem vajtje ardhje, përkatësisht në datat 6 dhe 13 janar me “topcinjtë” e Arsenalit në fazën gjysmëfinale të Kupës së Ligës, ndërsa në mes të këtyr datave “the reds” do të përballen gjithashtu edhe me klubin nga League One Shreësbury Toën në raundin e tretë të kompeticionit më të vjetër në rruzull në rang klubesh FA Cup, pra në fazën e 1/32.

Liverpuli pozicionohet aktualisht në vendin e dytë të kampionatit anglez, në kuotën e 41 pikëve pas 18 javëve, ndërkohë takimi i javës së 19 në Premier League që duhej të ishte luajtur të dielën në mesditë në Anfield ndaj Leeds United u shty, për arsye të përshkallëzimit në Mbretërinë e Bashkuar të versionit të ri të pandemisë së koronavirusit “omicron”.

Edicioni i 33 i Kupës së Kombeve të Afrikës starton më datën 9 janar me vendin organizator, pra Kamerunin, që renditet pas Egjiptit në librin e artë me 5 trofe të fituar, e sfidat e para do të jenë Kamerun – Burkina Faso dhe Etiopi – Kepi i Gjelbër. Përsa i përket edicionit të sivjetshëm të Kupës së Kombeve të Afrikës favoritë janë kampionët në fuqi të Algjerisë, ndërsa më pas vijnë me radhë vende të tilla si Egjipti, Senegali dhe Nigeria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat