Probleme te Newcastle, mund të pezullohet ndeshja kundër Evertonit

Futboll

Probleme te Newcastle, mund të pezullohet ndeshja kundër Evertonit

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Skuadra angleze me pronarët më të pasur në botë Newcastle United është duke pasur probleme të shumta me lëndime dhe raste të Covid-19 në skuadër, dhe mbetet të shihet nëse do të mund të zhvillojë ndeshjen kundër Evertonit në Premier Ligën angleze.

Newcastle arriti që në ndeshjen e mbrëmshme kundër Manchester United të ketë në bankën rezervë vetëm tetë futbollistë, dy nga ta që ishin portierë, nga nëntë lojtarë sa është maksimumi i lejuar.

Po ashtu, në barazimin 1:1 mbrëmë kundër “Djajve të Kuq” Newcastle për shkak të lëndimit humbi yllin francez Allan Saint-Maximin dhe sulmuesin Callum Wilson, kurse mbrojtësi i krahut Javier Manquillo u ndëshkua me karton të verdhë, që rezultoi të ishte i pesti këtë sezon, kështu duke u futur në listën e mungesave të trajnerit Howe për ndeshjen kundër Everton.

“Djemtë dhanë gjithçka nga vetja, por jemi në situatë të pa lakmueshme me mungesa të lojtarëve. Këto janë momente shumë të vështira për ne. Besoj se kërkohet që të jenë 13 lojtarë dhe një portier që të zhvillohet ndeshja. Ne do të jemi shumë pranë atij numri”, tha trajneri i Newcastle Eddie Howe.

Të enjten me fillim nga ora 20:30 skuadra e Newcastle do të zhvillojë ndeshje si mysafire kundër Evertonit, ku nën urdhrat e trajnerit të ri Eddie Howe ka arritur të regjistrojë vetëm një fitore në tetë ndeshjet e fundit, dhe zë vendin e parafundit respektivisht të 19 në tabelën e Premier Ligës angleze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat