Klubet e Abissnet Superiore thirrje për distancim të politikës nga futbolli

Futboll

Klubet e Abissnet Superiore thirrje për distancim të politikës nga futbolli

Më: 30 janar 2022 Në ora: 19:35
Klubet e Abissnet Superiore thirrje për distancim të politikës nga futbolli

Pak ditë më parë bota e futbollit shqiptar u trondit nga lajmi i shpërthimit të një tritoli në shtëpinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kjo ngjarje e rëndë ka marrë jehonë ndërkombëtare, teksa së fundmi ka bërë bashkë klubet e Abissnet Superiore, të cilat janë solidarizuar me numrin 1 të futbollit shqiptar.

Teuta, Kukësi, Laçi, Kastrioti, Skënderbeu dhe Egnatia kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale, duke i shprehur mbështetjen e tyre Presidentit Duka dhe duke dënuar ashpërsisht këtë ngjarje, ndërsa janë solidarizuar edhe me ndërhyrjen e politikës në futboll, duke kërkuar distancimin nga ky sport.

KF Teuta:

“KF TEUTA dhe presidenti Hasanbelliu denojne me force aktin e shperthimit me tritol ne banesen e Presidentit Duka.
KF Teuta dhe veçanërisht presidenti Edmond Hasanbelli ndihen tejet te tronditur nga shpërthimi me eksploziv në shtëpinë e presidentit të FSHF, Armand Duka. Vete presidenti ben apel qe incidente te tilla jane ekstremisht te denueshme dhe kerkojne zbardhjen e menjehereshme nga organet ligjzbatuese.

  “Solidarizohem në këtë moment të vështirë me Presidentin Duka dhe me familjen e tij. Uroj dhe shpresoj shume që një ngjarje kaq e rëndë të mos përsëritet kurrë dhe autorët të vihen para drejtësisë. Gjithashtu edhe politika duhet te distancohet nga fenomene te tilla qe baltosin imazhin e Shqiperise. Shpresoj shumë që kjo ngjarje të mos ketë lidhje kurrsesi me ndërhyrjet e politikës në futboll, te cilat jane thellesisht evidente ditet e fundit. Politika duhet të qëndrojë larg çështjeve që i takojnë komunitetit të futbollit, i cili duhet  të vendosë në mënyrë të pavarur per zhvillimin e futbollit ne vend”.

KS Kastrioti

“KS Kastrioti solidarizohet me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së hënës, ku një shpërthim me tritol pranë shtëpisë së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tronditi jo vetëm atë dhe familjen e tij, por mbarë komunitetin e futbollit shqiptar. Klubi ynë dënon me ashpërsi këtë akt të paprecedentë dhe fton organet kompetente të zbardhin këtë ngjarje të shëmtuar.

Shohim ditët e fundit një ndërhyrje flagrante të politikës në futboll. E ftojmë të qëndrojë larg sportit tonë dhe të distancohet nga çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, ku komuniteti i futbollit do të vendosë vetë për drejtuesin e FSHF-së për 4 vitet e ardhshme. Politika nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë vend në futboll!”

KF Kukësi

Futboll Klub Kukësi i gjendet pranë Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe familjes së tij, pas aktit të rëndë të së hënës, ku një lëndë eksplozive shpërtheu në shtëpinë e tij në Durrës. Klubi ynë shpreh solidaritetin tonë të plotë me kreun e FSHF-së në këto çaste të vështira dhe urojmë që autorët të vihen para drejtësisë sa më parë!

KF Skënderbeu

“Klubi i Skënderbeut dëshiron të shprehë të gjithë mbështetjen e tij dhe të solidarizohet me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Sulmi me eksploziv në shtëpinë e tij të hënën ishte një ngjarje shumë e rëndë që na ka tronditur pa masë dhe që vjen në një moment delikat, kur komuniteti i futbollit është në mesin e një procesi zgjedhor për organet drejtuese.

I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të zbulojnë dhe të dënojnë sa më parë autorët dhe frymëzuesit e këtij sulmi të rëndë. Sulmi ndaj Presidenti Duka është njëkohësisht dhe sulm ndaj futbollit. Për këtë arsye ne jemi të indinjuar për këtë akt skandaloz dhe i bëjmë thirrje politikës që të qëndrojë larg futbollit dhe të mos ndërhyjë në proceset zgjedhore.
Presionet dhe shantazhet ndaj aktorëve të futbollit duhet të ndalen një orë e më parë”.

KF Laçi

“Klubi i Laçit solidarizohet plotësisht me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas shpërthimit me eksploziv që ndodhi të hënën në shtëpinë e tij. Covid-19 prej dy vitesh na ka penalizuar të gjithëve dhe tani jemi në një situatë tjetër jo të hijshme, me tentativa të ndërhyrjes së politikës në botën e futbollit. Kjo që po ndodh është e papranueshme për futbollin në tërësi. Urojmë që futbolli të rikthehet sa më shpejt në normalitet dhe të vazhdojë të shikojë përpara për organizimin e një eventi madhor e historik për Shqipërinë, siç është finalja e UEFA Conference League në Tiranë më 25 maj. I shprehim mbështetjen tonë të plotë Presidentit Duka në këtë moment delikat”.

KF Egnatia

Klubi i Egnatias shpreh indinjatën e thellë për sulmin në shtëpinë e Presidentit të FSHF, Armand Duka. Shprehim shqetësimin e thellë për këtë sulm skandaloz dhe bëjmë apel që autorët të ndëshkohen nga drejtësia. Jemi prane familjes se presidentit ne kete moment te veshtire.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat