Teuta rikthehet te suksesi

Futboll

Teuta rikthehet te suksesi

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 12:23
Teuta rikthehet te suksesi

Një gol i Lorenco Vilës mjaftoi përballë Skënderbeut në javën e 18-të, që Teuta të rikthehej te suksesi i munguar në kampionat. Durrsakët u rikthyen te fitorja pas pesë javësh pritje, pas një ecurie shumë negative që detyroi drejtuesit e klubit të rikonfirmonin në stol përsëri Renato Arapin, i cili duket sa ka gjetur recetën e duhur për të rikthyer harmoninë dhe qetësinë në kampin e bregdetarëve.

Dy fitore minimale, një në Kupë dhe një në kampionat përballë Skënderbeut kanë mjaftuar për të ndryshuar kurs dhe për t’u larguar të paktën nga zona e ftohtë në klasifikim. Europa është shumë larg, por rruga më e shkurtër është Kupa. Krahasuar me sezonin e kaluar, kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë ndryshuar shumë, por edhe krahasuar me fazën e parë, Teuta ka humbur shumë, pesë pikë më pak është treguesi më i mirë për të kuptuar se sa ka vuajtur ky ekip në fazën e dytë.

Në këtë edicion “Djemtë e Detit” po vuajnë shumë edhe mungesën e golave, një skuadër që në këtë sezon vetëm në katër raste ka shënuar dy apo më shumë gola. Rrjetat e këtij kampionati Teuta i ka prodhuar vetëm në sulm, pasi nga ky repart kanë ardhur 13 gola, 6 prej të cilëve nuk janë më pjesë e organikës, Gorgiev dhe Koubemba, që u larguan nga skuadra.

Kjo skuadër vuan në dy reparte për të gjetur golin, nga mbrojtja ka ardhur vetëm një gol, ai i Ivanovic në humbjen e 17 tetorit përballë Tiranës, ndërsa mesfusha krenohet vetëm me Albano Aleksin, i cili ka shënuar dy herë, një ndaj Laçit dhe një ndaj Kukësit.

Për momentin listën e golashënuesve e kryeson Lorenco Vila me tre gola, të tre ndaj Skënderbeut, ndërsa nga gjashtë sulmues që Teuta disponon, katër prej tyre kanë shënuar. Nevoja për ndryshim dhe për pikë lidhet ngushtë edhe me golat që duhet të shtohen në sasi. Në këtë edicion Teuta ka dështuar të gjejë rrugën e rrjetës në katër raste, ndërsa në pesë javët e fundit ka shënuar vetëm 5 gola.

Teuta nis këtë fundjavë “turin” e forcës, pasi të shtunën përballë do të jetë Partizani, e më pas ndeshja e kthimit në Kupë ndaj Skënderbeut, për të vijuar me Vllazninë, Dinamon, Kukësin dhe Tiranë, sfida këto që do të jenë përcaktuese për fatet e Teutës në këtë gjysmë të dytë të këtij edicioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat