Kukësi nuk vjen i plotë ndaj Kastriotit, pasi në këtë përballje do të vuajë mungesën e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, spanjollin Pablo de Lukas.
35-vjeçari, me kartonin e verdhë të koleksionuar ndaj Egnatias, ka mbushur numrin dhe do të duhet të bëjë një javë stop. Duke parë mënyrën se si luan Longo, spanjolli shihet si pika lidhëse e mbrojtjes me sulmin, ndaj mund të konsiderohet si një mungesë jo e vogël.
Megjithatë, gjasat janë që në pozicionin e tij të luajë Hila, i cili shpeshherë është përdorur nga Longo për të mbuluar boshllëqet që ka në skuadër. Një tjetër alternativë është edhe i riu Sula, i cili e ka zëvendësuar edhe më herët dhe ka marrë përgëzimet e teknikut.
Sakaq, sulmuesi Puntus edhe këtë javë duket se nuk do të jetë i gatshëm, sepse nuk është rikuperuar ende nga dëmtimi që ka pësuar para disa javësh dhe nuk është grumbulluar në asnjë ndeshje të vitit 2022.