Simeone: Pse po luajnë Joao Felix-Griezmann titullarë

Futboll

Simeone: Pse po luajnë Joao Felix-Griezmann titullarë

Më: 2 prill 2022 Në ora: 11:33
Simeone: Pse po luajnë Joao Felix-Griezmann titullarë

Luis Suarez dha një kontribut të madh sezonin e kaluar tek Atletico Madrid. “El Pistolero” realizoi 21 gola dhe fitoi titullin kampion në sezonin e parë me skuadrën e Diego Simeones.

Ky sezon është ndryshe, “Colchoneros” po vuajnë në kampionat, njësoj si sulmuesi uruguaian, i cili numëron 9 gola dhe 3 asiste në La Liga, me 35-vjeçarin që ka humbur postin e titullarit në takimet e fundit.

Trajneri argjentinas i Atleticos, Diego Simeone po preferon dyshen Joao Felix-Griezmann në vend të bomberit latin, kjo edhe falë gjendjes jo të mirë fizike të Suarez, zgjedhje të cilën e shpjegon në këtë mënyrë:

“Situata e Luis është njësoj si ajo e çdo shoku skuadre që konkurron me të tjerët. Ai është një lojtar i rëndësishëm dhe vendimtar për ne, e pamë të gjithë se në çfarë niveli performoi sezonin e kaluar.

Ne presim më shumë prej tij, ai duhet të jetë gjithmonë gati kur skuadra ka nevojë për kontributin e tij. Kemi besim absolut te Luis, për në këto momente Joao Felix dhe Griezmann po përgjigjen mirë dhe garantojnë ekuilibër.

Gjithsesi, të gjithë sulmuesit do të kenë shanset e tyre. Joao ndodhet në formë të shkëlqyer, ai ndihet mirë, ndihet i fortë dhe është i përfshirë në atë që kërkon skuadra. Ai po sillet mirë, kjo është arsyeja pse po luan”, deklaroi Simeone.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat