Teuta - Skënderbeu, një sfidë që vlen më shumë se tri pikë

Futboll

Teuta - Skënderbeu, një sfidë që vlen më shumë se tri pikë

Më: 3 prill 2022 Në ora: 11:09
Teuta - Skënderbeu, një sfidë që vlen më shumë se tri pikë

Teuta-Skënderbeu është ndeshja e radhës në javën e 27-të të “Abissnet Superiore”, sfida e vetme e ditës së dielë, që vendos përballë dy skuadra të “etura” për pikë.

Kampionët e Shqipërisë rikthehen në “Niko Dovana” pas 312-të ditësh për të luajtur një takim të vlefshëm në kampionat, pas takimit me Apoloninë më 26 maj të vitit të kaluar. Teuta prezantohet pas humbjes me Laçin në Kupë, në fazën gjysmëfinale pak ditë më parë, ndërsa Skënderbeu do të rikthehet në fushë pas pauzës së kombëtareve dhe nuk njeh fitore prej 14 ndeshjesh radhazi midis kampionatit dhe kupës.

Teuta do të kërkojë ta nisë aty ku e mbylli, pasi në javën e fundit mori një sukses të rëndësishëm në Laç, ndërsa korçarët kërkojnë suksesin e parë për këtë vit kalendarik, sepse fitorja e fundit është ajo e 18 dhjetorit ndaj Kastriotit. Në këtë fundjavë merr fund saga e shtegtimeve për Teutën, që në këtë edicion, si pritëse ka bërë shumë hapa fals, me vetëm 11 pikë të grumbulluara (më keq ka bërë vetëm Dinamo me 9 pikë), por përballë do jetë një skuadër që transfertat i ka “makth”, pasi Skënderbeu ka rendimentin më të dobët në kampionat, me vetëm 4 pikë, falë 4 barazimeve.

Shumë luhatje në këtë sezon për “bregdetarët”, të cilët nuk shënojnë më shumë se një gol prej 7 javësh, ndërsa skuadra e Gegës ka sulmin e dytë më të dobët në kampionat, me 19 gola të shënuar duke lënë pas vetëm Dinamon me 14 rrjeta sezonale. Kampionët e Shqipërisë janë “dorëzuar” prej kohësh sa i përket mbrojtjes së titullit kampion, por asgjë nuk është e sigurt sa i përket mbijetesës, pasi për momentin, Teuta renditet e gjashta me 31 pikë dhe vendi i tetë është 3 pikë larg (Kastrioti 28 pikë), ndërsa Skënderbeu kërkon “oksigjen” për të mbajtur në lojë shpresat për mbijetesë, pasi mbyll klaifikimin, në vendin e dhjetë me vetëm 19 pikë.

Teuta-Skënderbeu do të takohen këtë të dielë për herë të pestë, pas dy takimeve në fazat e para (një fitore Teuta dhe një barazim) dhe pas dy ndeshjeve në Kupë, në fazën çerekfinale (me dy fitore të Teutës). Skënderbeu nuk fiton në Durrës, në kampionat nga 23 tetori i vitit 2017, ndërsa në 65-të ndeshjet e fundit direkte në të gjitha kompeticionet, korçarët kryesojnë me 25 fitore, kundrejt 21 të Teutës, ndërsa 19 takime janë mbyllur në barazim. Ndeshja fillon në orën 16:45 dhe mund ta ndiqni ekskluzivisht në Supersport 3.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat