Euforia mund të kthehet në ankth

Futboll

Euforia mund të kthehet në ankth

Më: 27 prill 2022 Në ora: 18:28
Euforia mund të kthehet në ankth

Milani është shumë pranë riformatimit të plotë për të kaluar në pronësinë e “Investcorp”. Për tifozët, fillimisht dukej si një lajm i mirë, pasi do të kishte investitorë të fuqishëm të cilët pritej të bënin ndërhyrje të rëndësishme në merkato për të ardhmen e klubi. Por pak nga pak po duket gjithnjë e më shumë si një marrëveshje e mirëfilltë tregtare dhe publicitare e cila u mundëson disa familjeve të pasura të Gjirit Persik që të bëhen pjesëtare të botës së futbollit.

Gazeta “Il Sole 24 Ore” ka bërë të ditur se firma në marrëveshjen që largon “Elliot” dhe bën “Investcorp” pronarin e ri të kuqezinjve, do të hidhet që këtë të premte pasi palët janë dakord mbi çdo pikë për akordin financiar. Por kompania e re nuk është një fond me qëllim zhvillimi të aseteve, por më shumë një fond i cili menaxhon kapitalet e të tjerëve. Me pak fjalë, nëpërmjet fondit me qendër në Bahrein, pronarët e rinj do të jenë shumë familje të pasura apo grupe financiare në zonën e Gjirit Persik që janë aksionere te “Investcorp”.

Për të bërë disi më të lehtë menaxhimin me kaq shumë zëra pjesëmarrës në kapitalet e klubit, është menduar që të krijohet një fond specifik me kapital permanent për rreth 10 vite nëpërmjet të cilit të menaxhohet klubi.

Janë 3-4 grupe financiare, apo familje të pasura të Gjirit Persik që do të kenë drejtimin nga tani e tutje, me shumë aksionerë të tjerë minoritarë. Por asnjë prej tyre nuk pritet të jetë familja Mubadala që aktualisht ka në pronësi Mançester Sitin, apo fondi PIF i Arabisë Saudite që ka Njukasëllin.

Gjithsesi, fragmentizimi i aksioneve do të sjellë ndryshime të mëdha edhe në strukturën organizative të klubit, që pritet të ndërtohet nga e para pas përfundimit të sezonit, Sigurisht, jo ajo që pritnin tifozët kuqezinj pas një sezoni të suksesshëm me kuqezinjtë si protagonistë kryesorë në luftën për titull në Serinë A.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat