Luajti i pashëruar

Futboll

Luajti i pashëruar

Më: 5 maj 2022 Në ora: 12:19
Luajti i pashëruar

Gerard Pique e ka paguar shtrenjtë aktivizimin e sforcuar në ndeshjen e javës që kaloi, kundër Mallorca-s, në “Camp Nou”. Qendërmbrojtësi katalan ka pësuar një lëndim dhe do të mungojë në ndeshjet e ardhshme, që do të thotë se praktikisht e ka mbyllur sezonin.

Klubi i Barçës ka raportuar mëngjesin e sotëm, përmes një deklarate, se ka një përkeqësim të dëmtimit në aduktorin e këmbës së majtë.

Barcelona nuk ka dhënë detaje për kohën që i duhet futbollistit veteran për t’u rikthyer në fushë, por sipas të gjitha gjasave i ka dhënë lamtumirën sezonit, pasi kompeticioni përfundon më 21-22 maj.

Në ndeshjen e Europa League-s, kundër Eintracht Frankfurtit, të luajtur më 7 prill, ai u largua nga fusha në minutën e 23-të, pasi nuk mundi të vazhdonte më tej.

Për shkak të këtij dëmtimi, Pique humbi ndeshjet kundër Levantes dhe Cádizit. U rikthye kundër Real Sociedadit, por nuk i plotësoi 90 minutat.

Edhe kundër Rayos, ishte zëvendësues. Ndaj Mallorca-s u aktivizua i sforcuar, por kërkoi zëvendësimin në minutën e 27-të.

Në ndeshjet e mbetura të sezonit, Éric García pritet të marrë vendin e tij, pasi Xavi ka më shumë besim tek ai sesa te Lenglet. Në takimet e fundit Barça do të përballet me Betisin, Celtan, Getafen dhe Villarrealin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat