Shulku shpjegon projektin madhor të FSHF

Futboll

Shulku shpjegon projektin madhor të FSHF

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 19:31
Shulku shpjegon projektin madhor të FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë para pak javësh vendimin e rëndësishëm për të lançuar projektin “Uniforma Ime”, që do të ketë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit pasi do të ulë edhe më shumë kostot për çdo fëmijë që luan futboll në Shqipëri.

Siç dihet tashmë fokusi kryesor i FSHF-së është zhvillimi i futbollit të fëmijëve, për djem e vajza dhe në këtë drejtim federata është kujdesur vazhdimisht gjatë gjithë këtyre viteve të lehtësojë kostot për fëmijët dhe familjet e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, në një intervistë për televizionin “Top Channel” ka shpjeguar këtë nismë të rëndësishme dhe detajet e këtij projekti, që do t’i japë një hov futbollit të bazës.

“Ne kemi lançuar disa ditë më parë projektin Uniforma Ime nga i cili rreth 15 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë do të përfitojnë nga një set uniformash duke filluar nga mosha U-17 e deri në moshën U-19. Është një projekt i konceptuar kohë më parë, pasi në strategjinë e FSHF ‘Futbolli për Kombin 2022-2025’ një nga shtyllat kryesore është zhvillimi dhe mbështetja e futbollit të fëmijëve.

Në vazhdën e iniciativave për zhvillimin e futbollin e fëmijëve ka ardhur edhe projekti Uniforma Ime. Para pesë vitesh ne lançuam projektin Topi Yt, teksa që nga ai moment dhe në vazhdimësi të gjitha ekipet e futbollit në Shqipëri që nga mosha U-7 e deri tek ekipet profesioniste të Abissnet Superiore i marrin topat e futbollit falas nga FSHF.

Edhe ky është projekt që kap vlerën rreth 1 milionë euro në vit dhe një kosto të tillë do të ketë edhe projekti Uniforma Ime që merret përsipër nga FSHF”, – teksa thekson se FSHF ka ndërmarrë disa nisma ndër vite për të ulur sa më shumë kostot për fëmijët që luajnë futboll, duke ofruar bazë materiale e topa falas si edhe duke hequr shpenzimet për zyrtarët e ndeshjeve.

“Duke filluar nga muaji shtator të gjithë fëmijët do të marrin falas nga një set uniformash falas. Është një projekt shumë i rëndësishëm për të cilin ne jemi konsultuar për një kohë të gjatë dhe jemi të bindur se do të ndihmojë edhe më shumë në afrimin e vajzave dhe djemve me futbollin në të ardhmen. Për zhvillimin e futbollit të fëmijëve, këtu kam parasysh djem dhe vajza, është punuar shumë gjithë këto vite dhe ne kemi nisur disa vite më parë që me uljen e kostove për futbollin e fëmijëve, duke hequr shpenzimet për zyrtarët e ndeshjeve, që nga delegatët, arbitrat, vëzhgues, mjekët, të cilët paguhen prej vitesh nga FSHF që nga mosha U-7 e deri te U-19”, – shton Shulku.

Në fund, ai shpjegon se në ç’fazë është projekti dhe kur do të nisë procesi i shpërndarjes së setit të uniformave për të të gjithë vajzat e djemtë që luajnë futboll në vendin tonë.

Aktualisht jemi në fazën e mbledhjes së të dhënave dhe porosive nga të gjitha ekipet, akademitë dhe shoqatat në të gjithë vendin në bashkëpunim edhe me Shoqatat Rajonale të Futbollit më të gjithë vendin. Të gjithë janë njohur me katalogun e uniformave dhe besoj se brenda javës tjetër pas mbledhjes së të dhënave do të vijohet me prodhimin e uniformave për çdo ekip për të finalizuar procesin me shpërndarjen e çantave për fëmijët në shtator”, – përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i FSHF.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat