Braziliani Rafinja është prezantuar te Barcelona si një lëvizje shumë e suksesshme e klubit katalanas. Dhe në fakt, Barcelona ka vuajtur shumë për të siguruar firmën e tij, për shkak të problemeve financiare dhe pamundësisë për të firmosur me lojtarin.
Vetëm ndërhyrja e ish-futbollistit Deko, i cili është menaxheri i Rafinja, bëri të mundur transferimin.
Ai nuk mori komisionin që kalonte mbi 1 milion euro, si dhe negocioi direkt me Lids në mënyrë që marrëveshja të mbyllej me shifrat që propozonte Barcelona, e cila kishte arritur në limitet e saj.
Por mediat britanike kanë zbuluar se te Lids nuk i zënë besë Barcelonës dhe janë të bindur se situata financiare e klubit spanjoll, do t’u krijojë telashe.
Si rrjedhojë, në kontratën e transferimit të Rafinja, është përcaktuar që do të ketë një gjobë prej 10 milionë eurosh ekstra nëse vonohet cilido prej kësteve të pagesës që spanjollët u detyrohen anglezëve për lojtarin. Një lëvizje që pritet ta kopjojnë edhe klube të tjera që do të bëjnë marrëveshje me Barcelonën për transferime.