Barcelona prezanton blerjen 67 milionë euroshe

Futboll

Barcelona prezanton blerjen 67 milionë euroshe

Më: 16 korrik 2022 Në ora: 11:08
Barcelona prezanton blerjen 67 milionë euroshe

Barcelona thjesht është tërbuar pas marrëveshjes me “Spotify”, e cila do t’i garantojë 283 milionë euro për katër vitet e ardhshme dhe ka vendosur që të hyjë bindshëm në merkato.

Por ndonëse të gjitha forcat dukeshin të përqendruara te Robert Levandovski, dy goditjet e bujshme të para janë rinovimi i papritur me Osman Dembelenë, por sidomos blerja e sulmuesit brazilian nga Lids Junajtid, Rafinja.

Shifrat e marrëveshjes janë vërtetë të frikshme, 58 milionë euro kesh të ndara në 3 vite, plus 9 milionë bonuse, me futbollistin 26-vjeçar, i cili ka në kontratë edhe një klauzolë prej 1 miliard eurosh, në rast të prishjes së saj.

Rafinja është prezantuar dje nga presidenti Joan Laporta përpara medias, me futbollistin që është parë shumë i emocionuar, pasi që në fillim e ka ndjerë peshën e klubit ku po vjen.

Dhe fakti që është një brazilian, ishte e pamundur që të mos i përmendej braziliani më i madh që ka luajtur për katalanasit.

“Unë si Ronaldinjo? Do të isha i lumtur sikur të arrija gjysmën e gjithçka ka bërë ai, por për këtë jam këtu. Për mua është një krenari shumë e madhe që jam pjesë e këtij klubi dhe falënderoj presidentin që më dha mundësinë të vesh këtë bluzë.

E desha Barcelonën që në momentin e parë që më telefonuan, ndaj sot (dje) kurorëzoj ëndrrën më të madhe të karrierës sime. E di që ndoshta nuk jam shumë i njohur për të gjithë, por dua që të lë shenjën time këtu.

Bashkëshortja dhe mamaja ime ishin shtysa më e madhe për të arritur deri këtu dhe jam i sigurt se nuk do të pendohem dhe as Barcelona nuk do të pendohet që ka besuar tek unë.

Jam shumë i emocionuar, sepse jo vetëm shumë prej idhujve të mi kanë qenë pjesë e këtij klubi, por edhe trajneri aktual, Ksavi, është një nga ata që kam admiruar më shumë në jetën time dhe do të jetë vërtet sa e çuditshme, por po aq e bekuar që do të punoj me atë.

Madje, edhe ai ka qenë një mbështetje e madhe për të ardhur këtu, sepse gjatë kohës që agjentët e mi dhe të dyja klubet po flisnin mes tyre, unë kam komunikuar disa herë me Ksavin në telefon dhe e di tashmë se çfarë idesh dhe çfarë kërkon ai nga unë dhe nga skuadra sezonin e ardhshëm.

Dhe pse jo, nga trajneri pres që ai të nxjerrë nga unë më të mirën që kam si futbollist”, deklaroi Rafinja.

Lidhur me kontratën dhe njollën e keqe që Barcelona ka pasur në vitet e fundit lidhur me pagesat, në kontratën e brazilianit mësohet se është vënë edhe një tjetër klauzolë, e cila i garanton Lidsit 12 milionë euro “gjobë”, për çdo pagesë që nuk do të bëhet në datën e caktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat