Rooney: Mos luaj me Ronaldon kundër Liverpoolit

Futboll

Rooney: Mos luaj me Ronaldon kundër Liverpoolit

Më: 21 gusht 2022 Në ora: 11:55
Ronaldo

Wayne Rooney, legjenda e Manchester United dhe tashmë trajneri i DC United në MLS, ka një këshillë për trajnerin e “Djajve të Kuq”, Erik ten Hag. United pret të hënën Liverpool-in në një sfidë që cilësohet e rëndësisë së veçantë për Manchesterin pasi përveç se bëhet fjalë për kundërshtarët historikë, në mes janë edhe dy humbje në dy ndeshjet e para të Premier League dhe skuadrës i kërkohet me ngulm të reagojë.

Kështu, Rooney thekson se nëse do të ishte në vendin e ten Hag atëherë do të ulte në stol Cristiano Ronaldon pasi skuadrës ndaj Liverpool do t’i duhet shumë energji dhe freski në fushë.

“Nëse do të isha në vendin e ten Hag, unë nuk do të luaja me Ronaldon dhe Rashford ndaj Liverpool.

Shqetësimi im kryesor do të ishte energjia dhe freskia e skuadrës në fushë. United, dështoi të transferonte një numër nëntë dhe kjo do të thotë se i kanë ende shpresat te Ronaldo, të cilin e aktivizuan ndaj Brentford, por duket që ai nuk është stërvitur mjaftueshëm me skuadrën.

Duket se Ronaldo ka nevojë për kohë që të mbërrijë në formën e duhur fizike dhe mendoj se është më mirë që ndaj Liverpool të startojë nga stoli. Është e vërtetë që futbolli ka evoluar, por në gjenezë nuk ndryshon. Nëse nuk vrapon në fushë dhe nëse nuk angazhohesh mjaftueshëm, atëherë çdo skuadër mund të të mposhtë.

Dhe, unë kurrë nuk e kam parë Manchesterin të vuajë në pjesën bazë të futbollit”, u shpreh Rooney që gjatë karrierës së tij me “Djajtë e Kuq”, fitoi pesë herë titullin e Premier League.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat