Shehi flet pas fitores së parë

Futboll

Shehi flet pas fitores së parë

Më: 28 gusht 2022 Në ora: 21:07
Shehi flet pas fitores së parë

Ndeshja në Rrogozhinë mes Tiranës dhe Egnatias është mbyllur me fitoren e kryeqytetasve. Bardheblutë kanë mposhtur vendasit me rezultatin 0-2. Ekipi i drejtuar nga Orges Shehi gjeti rrugën e rrjetës nga një herë për secilën pjesë. Fillimisht ishte Kallaku ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 14, ndërsa në të 54-tën Hasani i dërgon shifrat në 0-2. Pas përfundimit të takimit, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport”.

Shehi (Tirana), tha: “Qefalia na shqetësoi. Për momentin e kanë futur në skaner për të parë dëmtimin dhe presim përgjigjen e skanerit. Ishte një situatë që na dënoi nga ana psikologjike, por shpresoj që të marrim lajme të mira sa më parë prej tij. Kisha një komunikim me gjyqtarin, nuk mund të vazhdonim lojën pa ditur gjendjen e tij.

Skuadra ishte në gjende të keqe psikologjike, por më pas morëm lajm nga ambulanca dhe na thanë se ai ishte mirë. Siç e pamë edhe në minutat e fundit të pjesës së parë ekipi thuajse nuk ishte në fushë, por më pas thamë që të fitojmë për Qefalinë.

Nuk ishte ndeshje e lehtë. Këtë kampionat e kemi nisur me dy ndeshje jashtë. E dinim që ishte një ndeshje e vështirë dhe kampionati kërkon një mentalitet të fortë dhe ky ishte mentaliteti i duhur. Dihet që përballë kampionit skuadrat kanë një qasje tjetër.

Nga ana taktike kemi ndryshuar shumë. Edhe për sa i përket fizionomisë së lojës, kemi bërë edhe ndryshime pozicionesh.

Duhet të përmirësohemi akoma edhe pse sot në fushë ishin 4-5 lojtarë nga formacioni i vjetshëm, por mendoj se skuadra është tërësisht e re, sepse edhe lojtarët e vjetër po luajnë me një modul të ri. Jam i kënaqur me lojtarët sepse për një kohë të shkurtër asimiluan atë që kemi folur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat