Allegri: A jam i shqetësuar?

Futboll

Allegri: A jam i shqetësuar?

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 01:07
Allegri

Juventusi është mundur 2-1 në shtëpi nga Benfika dhe mbetet me 0 pikë pas dy ndeshjeve të para në Ligën e Kampioneve, duke rrezikuar seriozisht eliminimin që në fazën në grupe të turneut. Por Masimiliano Alegri çudit me deklaratat e tij optimiste se ekipi mund të thotë përsëri të tijën në këtë turne.

“Është e vështirë të shpjegosh atë çfarë ndodhi, por pas rezultatit 2-1 ndeshja përfundoi, paraqitja do të kishte qenë e shëmtuar edhe nëse do të barazonim. Tani nuk shërben të flasësh, por vetëm të punojmë e mendojmë për fushën e lojës.

Skuadrës i kam thënë që në futboll këto momente rastisin dhe duhet të dalim prej tyre kolektivisht. Në Champions është e vështirë, por nuk është mbyllur asgjë. E kuptoj momentin e vështirësisë që jeton ekipi, në këto situata mjafton të pësosh një penallti për të ndryshuar gjithçka.

A jam i shqetësuar? Nuk duhet të mendojmë për shqetësimet, duhet vetëm të veprojmë”, ishin fjalët e Alegrit për “Sky Sport”.

Ndërkohë në “Prime Video” ai u ngacmua nëse ndjente se mund të jepte përsëri kontributin e tij për Juventusin. “Absolutisht po, kemi pak vështirësi por na mungojnë disa lojtarë. Duhet të punojmë me qetësi dhe me përgjegjësi të gjithë”, deklaroi trajneri i Juventusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat