Nunez nuk është lojtari më i shpejtë në histori të Premier Ligës

Futboll

Nunez nuk është lojtari më i shpejtë në histori të Premier Ligës

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 16:44
Nunez

Pavarësisht se media të ndryshme nga anë e mbanë bota raportuan se Darwin Nunez është bërë lojtari më i shpejtë në histori të Premier Ligës, si duket ky lajm nuk është aspak i vërtetë.

Nunez prodhoi një paraqitje fantastike në ndeshjen kundër West Ham, të cilën Liverpooli e fitoi me rezultat 1:0 falë golit të yllit uruguaian, raporton KosovaPress.

Uruguaiani shënoi të mërkurën mbrëma golin e tij të parë për Liverpoolin në “Anfield Road”, ndërsa shtylla dhe disa pritje të Lukasz Fabianskit e ndalën atë të mos shënojë më shumë gola.

Gjatë transmetimit të ndeshjes, komentatori, Ian Darke tha se Nunez ka regjistruar vrapimin më të shpejtë se çdo lojtarë tjetër në këtë sezon në Premier Ligë, deklaratë kjo që më pas u keqkuptua.

Më pas, thuhej se Nunez ka regjistruar vrapimin më të shpejtë në histori të kampionatit anglez, ku vrapimi i tij prej 38 km/h theu rekordin e Kyle Walker prej 37.8 km/h.

Sigurisht, kjo statistikë nuk ishte e vërtetuar, ku komentimi i Darke ishte keqkuptuar, por tani “Opta” ka zbuluar atë se çfarë konsiderohet larg nga e vërteta.

Nunez ka vrapuar më së shpejti se çdo lojtarë tjetër në këtë sezon në Premier Ligë, dhe jo në ndeshjen kundër West Ham, dhe sigurisht jo më së shpejti në histori.

Vrapimi i tij prej 36.5 km/h në barazimin 2:2 me Fulhamin më gjashtë gusht është më i shpejti që është regjistruar deri tani, ku ka tejkaluar Gabriel Martinelli (35.9km/h), Diogo Dalot (35.8km/h), Allan Saint-Maximin (35.7km/h) dhe Jack Stacey (35.6km/h).

Por siç raportohet nga “Opta”, vrapimi i Nunez nuk është më i shpejti në histori pasi që para tij janë Antonio Rudiger (36.7 km/h), Mohamed Salah (36.6 km/h) dhe Adama Traore (36.6 km/h).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat