Tirana me ekip të plotë para duelit me Kukësin, bileta të lira për duelin e javës 10

Futboll

Tirana me ekip të plotë para duelit me Kukësin, bileta të lira për duelin e javës 10

Më: 29 tetor 2022 Në ora: 08:44
Tirana

Java e 10-të e Kategorisë Superiore do të luhet këtë fundjavë, e shpërndarë në dy ditë, të shtunën dhe të dielën, ku ndeshjet kryesore janë pikërisht të dielën e ku spikat dueli Tirana-Kukësi. Tirana ka një avantazh në kuadër të këtij takimi, pasi i kthehen të dëmtuarit dhe tani është në pozita më të mira. Grumbullimi i një formacioni të plotë është për trajnerin Shehi pikë e fortë këmbëngulëse, pasi deri tani ekipi ka vuajtur jo pak në këtë drejtim. Kthimi i të dëmtuarve mund t’i japë Tiranës një shans për të shkuar tek rezultatet maksimale, në mënyrë që ta nisë mbarë fazën e dytë të garës. rivaliteti me Partizanin kryesues mbetet i madh dhe këtë fazë të dytë nga 4 gjithsej të kampionatit, Tirana synon të rrëmbejë kreun.

Formacion i plotë para kësaj ndeshjeje

Një grup i plotë mund të bëjë gjëra të mira në fushë dhe mund të përmbushë objektivat që ka klubi. Tirana kishte mangët dje tre lojtarë: Kallakun, Deliun dhe Xhixhën, që janë me ekipin kombëtar. Ata do të jenë sot në stërvitje me Tiranën, pas ndeshjes në Arabi. Ismajlgeci mbetet në dyshim, ndërsa në portë e nis Bekaj. Më pas Toshevski, Najdovski e Behiratçe në mbrojtje e Ismajlgeci ose Përgjoni majtas. Mesfusha me treshen Kallaku, Aleksi e Deliu. I gatshëm është edhe Vesel Limaj që e ka kaluar dëmtimin. Nga ana tjetër, në sulm, treshja Xhixha-Hasani dhe Patrik. Në sfidën me Kukësin, Shehi e ka ekipin pothuajse të plotë. Shqetëson vetëm Ismajlgeci për të cilin do të pritet vetëm ora e fundit e ndeshjes.

Çmimet, të pranueshme

Klubi bardheblu me anë të një postimi në profilin e saj të rrjetit social “Facebook”, u ka bërë me dije tifozëve çmimet e biletave për këtë ndeshje. Biletat variojnë nga 300 lekë të reja në 1000 lekë të reja. Një biletë për tribunën C, D, E, F dhe G do të kushtojë 300 lekë të reja. Një biletë për tribunën H ku do të akomodohen tifozët e skuadrës së Erzenit do të kushtojë 300 lekë të reja. Ndërsa një biletë në tribunat A dhe B do të kushtojë 1000 lekë të reja.

Ismajlgeci priti një ftesë në Kombëtare, por i fokusuar me bardheblutë

Futbollisti i Tiranës, Marcel Ismajlgeci duket i mërzitur që trajneri Edi Reja nuk i bëri ftesë në përfaqësuese. Nga ana tjetër, ai duket i vendosur për të dhënë maksimumin me Tiranën dhe për të dalë kampion. Në prag të ndeshjes me Kukësin ai u tregua entuziast dhe pret të fitojë duelin e të shtojë 3 pikë për Tiranën pas javës së parë të fazës së dytë. “Skuadra është shumë mirë. Humbja me Erzenin na dëmtoi pak moralisht. Ama ne e kemi treguar edhe sezonin e shkuar kundër Vllaznisë që pasi bëmë një ndeshje të keqe, në sfidën e radhës kemi dhënë maksimumin dhe kemi fituar. Ndeshja me Erzenin duhet të harrohet sa më shpejt. Duhet të fokusohemi te Kukësi. Ajo është ndeshja për t’u fituar. Kombëtarja? Është normale që gjithsesi, e pret një ftesë nga ekipi përfaqësues shqiptar. Nuk erdhi këtë radhë. Nuk kam ç’të bëj. Do të jap më të mirën me klubin, që ajo ftesë të më vijë në takimin e radhës”, nënvizoi futbollisti bardheblu, Ismajlgeci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat