FSHF tenton ish-trajnerin e Milanit

Futboll

FSHF tenton ish-trajnerin e Milanit

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 12:52
FSHF tenton ish-trajnerin e Milanit

Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër takimin miqësor ndaj Katarit në Spanjë, ku përbërja është me lojtarë nga kampionati vendës. Ndërkohë që javën tjetër, janë përcaktuar për t’u zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore të tjera, kundër Italisë dhe Armenisë në “Air Albania”.

Përpos këtij fakti, ajo që mbetet një temë e hapur për përfaqësuesen është e ardhmja e stolit. Edi Reja është në muajin e fundit të kontratës dhe me shumë mundësi nuk do të vazhdojë të drejtojë kuqezinjtë, pavarësisht se në asnjë moment një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Trajneri italian ka shprehur dëshirën për të vazhduar me Shqipërinë në daljet e tij në media, por ndërkohë nga ana tjetër, presidenti i FSHF-së është treguar i kujdesshëm dhe nuk e ka konfirmuar në asnjë moment 77-vjeçarin, por as nuk është shprehur që Edi Reja e ka mbyllur bashkëpunimin.

I vetmi fakt që është kuptuar, mbetet që palët do të ulen për të biseduar për kontratën, në kohën kur ajo të përfundojë, në ditët e fundit të nëntorit, që praktikisht llogaritet pas miqësoreve me Italinë dhe Armeninë.

Është përfolur shumë kohët e fundit për trajnerin që mund të zëvendësojë Edi Rejën, madje u ka dalë emri edhe disa teknikëve shqiptarë. Por “Panorama Sport” mëson nga burime pranë drejtuesve të lartë të Federatës se ish-trajneri i Milanit, Marko Xhampaolo, është në “pole position” për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare.

Madje, tekniku italian 55-vjeçar është edhe një dëshirë e vetë kreut të FSHF-së dhe gjasat janë që të jetë ai drejtuesi i ri në stolin kuqezi. Xhampaolo nuk është një pistë e re për Shqipërinë, sepse është tentuar pas largimit të De Biazit dhe në vazhdim në stol u ul Panuçi.

Ndërkohë që tani, ish-trajneri i Sampdorias, i cili u zëvendësua nga Stankoviç vetëm pak javë më parë, aktualisht është pa ekip. Marko ka lindur në Belizona të Zvicrës dhe ka filluar karrierën si ndihmës-trajner dhe më pas në vitin 2006 trajner i parë i Kaljarit.

Ndërsa ekipi që ai ka qëndruar më shumë është Sampdoria, që nga viti 2016 deri në 2019-ën, me një total prej 123 ndeshjesh në pankinë. Pas ecurisë së mirë me xhenovezët, Xhampaolo mori drejtimin e Milanit, por u largua më shpejt sa pritej, duke drejtuar kuqezinjtë për 3 muaj dhe vetëm 7 ndeshje.

Në fakt interesant është që Xhampaolo ka drejtuar pesë ekipe të njëjtë me Edi Rejën, si: Torino, Bresha, Kaljari, Katania dhe Trevizo, por në kohë të ndryshme./panoramasport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat